Lajme

“Qeveria sërish nuk publikon raportin e punës vjetore”


GLPS-ja.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka kritikuar punën e Qeverisë së Kosovës për mosplotësimin e pozitave e mbajtjen e tyre me ushtrues detyre.

Në analizën e kësaj organizate është thënë se ky vit e ka gjetur Qeverinë me vetëm 4 sekretarë të përgjithshëm me mandat.

“Qeveria ka dështuar të bëjë emërimin e kandidatëve meritorë. Moskompletimi për një kohë të gjatë i pozitave, Ministria e Shëndetësisë ka qenë pa ministër e Policia e Kosovës pa drejtor”, deklaroi drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla.

Sipas saj, përkundër përformancës së pakënaqshme në disa nga ministritë, riformatimi i Qeverisë nuk ka ndodhur.

“Edhe përgjatë këtij viti ka pas probleme si rezultat i bashkimit të ministrive. Përgjatë këtij viti edhe te kjo Qeveri sikurse në qeveritë e kaluara nuk kemi pasur publikimin e raporteve të punës”.

GLPS-ja.

Sistemi i drejtësisë dhe politika e jashtme

Për udhëheqjen e pjesës së sistemit të drejtësisë, ajo është shprehur se vlen të përmenden operacionet e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në Veri dhe rastet si “Subvencionet” dhe “Brezovica”.

Por, që sërish ka hapësirë për kritika.

“Konsiderojmë që si Qeveria ashtu edhe institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë përpjekje për koordinim më të mirë”, është shprehur ajo.

Ndërsa për politikën e jashtme është thënë se Kosovës i është dashur të përshtatet me realitetin gjeopolitik.

“Kosova u përball me pengesa të rëndësishme në kuptim të punëve të jashtme. Ndonëse janë bërë përpjekje për të marrë njohje të reja të njëjtat nuk kanë ndodhur”.

Teksa janë përmendur edhe raportimet për përfshirjen në një skandal financiare të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Sipas GLPS-së, Berishaj nuk është mirë që të vazhdojë me këtë pozitë.

“Por GLPS-ja ka konsideruar se përmbushja e vetëm gjysmës së obligimeve të dala nga Plani i Zbatimit të MSA-së, nuk është e mjaftueshme”, ka thënë ajo.

Në procesin e dialogut me Serbinë, ajo ka pohuar se Qeveria ka vazhduar të jetë “proaktive e poashtu edhe konstruktive”.

Ndër të tjera ka thënë se asociacioni nuk duhet të jetë pika kryesore e diskutimit.

Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore