Lajme

Qeveria e Kosovës po shfrytëzon viktimat e dhunës për propagandë, thotë Miftaraj


Ehat Miftaraj

Ministria e Drejtësisë, këtë të shtunë, përmes operatorëve telefonikë, ka shpërndarë një mesazh te qytetarët e Kosovës ku ka njoftuar për ashpërsimin e dënimeve për veprat penale të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore, e një gjë e tillë sipas drejtorit të Institutit të Kosovës, Ehat Miftaraj, dëshmon se Qeveria e Kosovës, po i shfrytëzon viktimat e dhunës për propagandë, meqë dikasteri në fjalë i drejtuar nga, Albulena Haxhiu, nuk ka as autoritet e as kompetencë të ashpërsimit të dënimeve për veprat penale për dhunë në familje.

“Është për keqardhje kur Ministria e Drejtësisë bën fushatë politike me një çështje kaq të ndjeshme si janë viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore. Edhe viktimat e dhunës në familje kjo qeveri i shfrytëzon për propagandë. Marre!”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Për Miftarajn, i cili është një njohës i mirë i fushës së drejtësisë në Kosovë, një deklaratë e tillë e Ministrisë së Drejtësisë është e pavërtetë, meqë ashpërësimi i dënimeve për veprat penale të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore është kompetencë e Kuvendit të Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë, propozon ligje, propozon politika në fushën e drejtësisë, propozon sanksione më të ashpra, të cilat më pastaj miratohen nga Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore