Lajme

Qeveria e Kosovës për afganët e refuzuar nga SHBA-të: Do të transferohen drejt vendeve të treta


Ilustrim

Afganët e strehuar në Kosovë, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u futur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të transportohen drejt vendeve të treta.

Kështu të paktën thotë Qeveria e Kosovës, të cilët në një përgjigje të dhënë për Euronews Albania, tregojnë për qëndrimin e tyre në lidhje me problematiken e mos-pranimit të disa afganëve nga SHBA-të.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na ka siguruar se nëse afganët në Liya nuk janë në gjendje të kalojnë kriteret e verifikimit, Shtetet e Bashkuara do të punojnë për të identifikuar vendet e treta që kanë vullnet t’i pranojnë ata, bazuar në preferencat e qytetarëve afganë”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

Autoritetet sqarojnë se, nëse ndonjë qytetar afgan dëshiron të kthehet vullnetarisht në Afganistan, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në realizimin e një kërkese të tillë.

Sipas qeverisë së Kosovës, deri më tani, janë larguar nga “Kampi Lyia” drejt SHBA-ve 600 afganë.

“Një shumicë dërrmuese e mysafirëve të përkohshëm në Kampin Liya në Kosovë i kanë kaluar tashmë të gjitha kriteret e sigurisë dhe verifikimit të SHBA-së. Partnerët tanë amerikanë po punojnë me zell për të plotësuar të gjitha kriteret mjekësore dhe të sigurisë për numrin e vogël të mysafirëve të mbetur në këtë kamp brenda afatit kohor prej 365 ditëve për të cilën jemi dakorduar”, thuhet nga qeveria.

Të martën e 24 majit, The Wall Street Journal ka raportuar se Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur t’i njoftojë disa prej afganëve të strehuar në Kosovë, se nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

Gazeta ka raportuar se 22 afganë janë duke kaluar nëpër procesin e verifikimit – prej të cilëve 16 kanë marrë njoftimin se aplikacionet e tyre për të hyrë në SHBA, janë refuzuar. Sipas gazetës, për gjashtë raste të tjera ende nuk është marrë vendimi.

Si arsye për këtë përmendet zbulimi i “disa informacioneve diskualifikuese” për afganët, por nuk jepen më shumë detaje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore