Kosova

Qeveria e Kosovës me vendim të ri për strehimin e refugjatëve afganë


Diskutimi për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë, ka vazhduar edhe në mbledhjen e mbajtur të martën nga qeveria.

Sipas një njoftimit të Qeverisë tani mbrojtje e përkohshme do t’ju ofrohet edhe personave të tjerë, përveç atyre që janë caktuar deri tani, ku përfshihen personat që do zhvendosen në SHBA apo në një shtet të tretë në bazë të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Sipas këtij vendimi, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atyre të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave tjerë”.

“Në bazë të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në një shtet tjetër të tretë, përfshirë familjarët e të tre këtyre grupeve” thuhet në njoftimin e qeverisë.

Por kjo qeveri ende nuk ka publikuar detaje rreth strehimit të afganëve në shtetin e Kosovës, gjithmonë sipas kësaj marrëveshje.

Qeveria e Kosovës ende nuk është e gatshme për të deklaruar se sa refugjatë afgan ka kapacitet për ti strehuar dhe në cilat lokacione do të vendosen.

Një gjë të tillë qeveria nuk e ka bërë të ditur as për organizatat e huaja në Kosovë, të cilat po bashkëpunojnë me qeverinë në këtë drejtim.

“Karshi situatës që po zhvillohet me shpejtësi në Afganistan dhe ardhjes së mundshme të njerëzve në nevojë, Ekipi i OKB -së në Kosovë është në kontakt me autoritetet e Kosovës në vlerësimin dhe përcaktimin e fushës së mbështetjes së tij në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Shpend Qamili, Zyrtar i Koordinimit dhe Zhvillimit të Asociuar, në kuadër të Programit të Komunikimit, Avokimi dhe Afrimi nga Zyra e Koordinatorit të Zhvillimit të OKB -së.

Ndërsa Manushaqe Hoxha-Krasniqi, përfaqësuese e zyrës për Komunikim me Publikun nga UNHCR, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se ende nuk kanë informata nga Qeveria e Kosovës për numër të saktë të refugjatëve që do të pranohen.

“Ju lutemi mbani parasysh se ne nuk kemi më shumë informacion në këtë drejtim dhe ju rekomandojmë që t’i drejtoheni drejtpërdrejt departamenteve përkatëse të qeverisë së Kosovës”, vazhdon më tej komunikimi.

Se kur mund të vijnë refugjatët dhe cilat janë kapacitetet e Kosovës për të strehuar refugjatët afganë, nuk e di as zyra e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Përmes postës elektronike, përfaqësues të zyrës për medie nga UN, thanë për Albanian Post se ekipi i OKB-së në Kosovë është duke përcjellur situatën e cila po zhvillohet me shpejtësi në Afganistan dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Kosovës për zhvillimet e mëtejme.

“Ekipi i OKB -së në Kosovë është në kontakt me autoritetet e Kosovës duke bërë vlerësimin dhe përcaktimin e fushës së mbështetjes së tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore