Lajme

As organizatat e huaja nuk e dinë se kur dhe sa refugjatë do të strehohen në Kosovë


Qeveria e Kosovës dhe Presidenca akoma nuk kanë dhënë detaje rreth organizimit të brendshëm shtetëror për pritjen dhe strehimin e refugjatëve afganë, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për akomodimin e përkohshëm të disa prej tyre.

E fundit është deklarata e presidentes, Vjosa Osmani, e cila në një intervistë për Sky News tha se ardhja e refugjatëve është çështje ditësh, pa saktësuar më shumë.

Pa informata konkrete rreth organizimit dhe numrit të afganëve që do të pranohen Qeveria e Kosovës ka lënë edhe organizatat e huaja, të cilat po bashkëpunojnë për strehimin dhe mirëqenien e këtyre refugjatëve.

“Karshi situatës që po zhvillohet me shpejtësi në Afganistan dhe ardhjes së mundshme të njerëzve në nevojë, Ekipi i OKB -së në Kosovë është në kontakt me autoritetet e Kosovës në vlerësimin dhe përcaktimin e fushës së mbështetjes së tij në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Shpend Qamili, Zyrtar i Koordinimit dhe Zhvillimit të Asociuar, në kuadër të Programit të Komunikimit, Avokimi dhe Afrimi nga Zyra e Koordinatorit të Zhvillimit të OKB -së.

Ndërsa Manushaqe Hoxha-Krasniqi, përfaqësuese e zyrës për Komunikim me Publikun nga UNHCR, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, ka thënë se ende nuk kanë informata nga Qeveria e Kosovës për numër të saktë të refugjatëve që do të pranohen.

“Ju lutemi mbani parasysh se ne nuk kemi më shumë informacion në këtë drejtim dhe ju rekomandojmë që t’i drejtoheni drejtpërdrejt departamenteve përkatëse të qeverisë së Kosovës”, vazhdon më tej komunikimi.

Se kur mund të vijnë refugjatët dhe cilat janë kapacitetet e Kosovës për të strehuar refugjatët afganë, nuk e di as zyra e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Përmes postës elektronike, përfaqësues të zyrës për medie nga UN, thanë për Albanian Post se ekipi i OKB-së në Kosovë është duke përcjellur situatën e cila po zhvillohet me shpejtësi në Afganistan dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Kosovës për zhvillimet e mëtejme.

“Ekipi i OKB -së në Kosovë është në kontakt me autoritetet e Kosovës duke bërë vlerësimin dhe përcaktimin e fushës së mbështetjes së tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Në mënyrë që të njihet si refugjat, një person duhet të jetë jashtë vendit të tij të origjinës dhe i paaftë ose nuk dëshiron të kthehet për shkak të një frike të bazuar të persekutimit për arsye racore, feje, kombësie, anëtarësimi në një grup të caktuar shoqëror ose politik opinionit ose për shkak të kërcënimeve serioze dhe pa kriter që rezultojnë nga dhuna e përgjithësuar ose ngjarje që shqetësojnë rëndë rendin publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore