Shqipëria

Qasje të lirë në tregun e punës në vendet e “Ballkanit të Hapur” – Shtyhet nënshkrimi i protokollit


Qeveria e Maqedonise se Veriut

Nënshkrimi i protokollit për qasje të lirë në tregun e punës në vendet e “Ballkanit të Hapur”, i cili ishte paralajmëruar për të dielën në Shkup, është shtyrë, ka njoftuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në ngjarjen e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” do të merrnin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Fillimi i masës për “qasje të lirë në tregun e punës në vendet e ‘Ballkanit të Hapur’”, siç ishte paralajmëruar, shtyhet deri në momentin kur kushtet teknike për aplikimin e saj individualisht në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut do të jenë të plota.

“Aktualisht janë rënë dakord për protokollet që kanë të bëjnë me kushtet për akses të lirë në tregje, si dhe skemat e identifikimit elektronik. Bazuar në këto ekipet teknike në çdo vend ndërmarrin aktivitetet e duhura përfundimtare”, saktësohet në njoftim.

“Nevojitet kohë shtesë për testimin dhe vendosjen e shërbimeve në sistemet e të tre vendeve, në mënyrë që ato të jenë të disponueshme publike për të gjithë qytetarët në të njëjtën kohë. Kohë”.

“Institucionet përgjegjëse për implementim janë duke punuar në mënyrë aktive në testimin shtesë dhe harmonizimin e sistemit, duke marrë parasysh rëndësinë, nevojat dhe përfitimet për qytetarët”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Qeveria shton se “sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë, do të informojë për hapat e ardhshëm në lidhje me këtë masë, e cila është një nga masat dhe projektet e shumta që rezultoi nga nisma ‘Ballkani i Hapur’, me të cilin qytetarët gëzojnë përfitime dhe zhvillim real”, mbyllet komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore