Lajme

Qalaj: Ministri Sveçla kundërligjshëm i thirri t’i raportojnë shefat e hetimeve të Policisë së Kosovës


Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në cilësinë e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar nga foltorja e kuvendit se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në fillim të muajit mars ka mbajtur për rreth 12 orë në raportim, shefat e hetimeve të departamentit të hetimeve në Policinë e Kosovës.

“Në objektin e Ministrisë së Brendshme, në Parkun Nacional në Blinajë, Ministri Sveçla ka mbajtur shefat e hetimeve, të departamenteve të hetimeve për 12 orë, duke i raportuar për raportin vjetorë”, ka thënë deputeti Qalaj.

Kjo që ka bërë Sveçla, sipas Qalës, është e kundërligjshme.

“Është e kundërligjshme, është frikësuese, e nuk guxon të ndodhë absolutisht. Mos të harrojmë se disa njësi japin llogari direkt, siç është task forca – prokurorisë speciale, ndërsa detyrohen që t’i raportojnë ministrit”, ka thënë deputeti Qalaj.

“E tmerrshme, që ministri i Brendshëm të mbajë rreth 12 orë duke dhënë raport shefat e divizioneve, ish drejtori i departamentit të hetimeve dhe udhëheqësi i task forcës në një objekt jashtë policisë por që gjendet në Parkun e Blinajës”.

Deputeti Qalaj, nuk dha më shumë detaje rreth kësaj situate, por kërkoi nga kolegët e tij në kuvend, nga qeveria e ministrat që të mos ushtrojnë ndikim në institucionet e rendit, “e sidomos në organet e ndjekjes, Policinë e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Albanian Post ka provuar të marrë përgjigje nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por që gjatë të enjtes ai ishte i pa qasshëm.

Këtë rast nuk e ka konfirmuar as Policia e Kosovës, pas kërkesës që Albanian post i ka bërë përmes postës elektronike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore