Lajme

Putin me elozhe për Xi, Jinping ia kthen me “pragmatizëm” gjeopolitik


Një mik i vjetër i mirë.

Kështu e ka përshkruar presidenti rus, Vladimir Putin, homologun e tij kinez, Xi Jinping, përpara nisjes zyrtare të vizitës së këtij të fundit në Moskë, e cila do të çelet të hënën e 20 marsit dhe do të zgjasë tre ditë.

Një takim kokë më kokë dhe një drekë informale, do të jenë kryefjalë e ditës së parë, siç ka bërë me dije edhe zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov, lidhur me agjendën e takimeve.

Mirëpo vetëm 24 orë përpara, të dy liderët lindorë kanë gjetur kohën të publikojnë artikuj në gazeta të vendeve fqinje, ku përshkruhen situatat e luftës në Ukrainë, si edhe detaje reciproke.

“Jemi shumë mirënjohës për balancën që Kina ka mbajtur lidhur me çështjen e Ukrainës”, thekson Putin në fjalën e tij për një gazetë kineze, duke mbajtur parasysh edhe faktin se Pekini ka propozuar një plan paqeje për zgjidhjen e krizës.

Mbi këtë, Jinping ka dhënë një intervistë për gazetën ruse Rossiiskaya Gazeta, duke shtuar se 12 pikat që ai dhe administrata e tij kanë propozuar, duket të merren parasysh gjerësisht dhe për rastin e Ukrainës, duket të ketë pragmatizëm.

“Plani përfaqëson sa më shumë të mundet unitetin dhe pikëpamjet e komunitetit botëror”, përforcoi Xi në intervistën e tij.

Më pas, ai ravijëzoi se sipas tij, nuk ka një lloj unik qeverisjeje në botë dhe se rendi botëror, nuk mundet t’i përkasë vetëm një shteti.

Kjo, edhe një pikëpamje e gjerë e Putinit, e një bote multipolare politikisht, pa pasur në qendër thjesht politikën amerikane.

Ekspertët ndërkohë e kanë përshkruar takimin mes të dyve si “shumë delikat”, pavarësisht faktit se prej muajsh ishte i planifikuar të ndodhte.

Jinping është ndër të paktët aleatë të Putinin në periudhën e pasluftës tashmë dhe duke qenë se Kina përfaqëson frontin e ri lindor në rendin botëror gjeopolitik, ajo çfarë mund të diskutohet mes dy liderëve, ngjall interes të jashtëzakonshëm.

Pikë së pari, për faktin se Jinping mund të vendosë të ndihmojë ushtarakisht Rusinë. Indicie ka mbi pretendime se diçka e tillë mund të ketë ndodhur tashmë, por pa u faktuar.

Megjithatë, me një front të tërë perëndimor, i cili është rreshtuar qartësisht kah Ukrainës, rreshtimi i qartë i Kinës kah Rusisë mund të ndërlikojë skenarin e luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore