Lajme

Pushteti dhe opozita kujtojnë masakrën në Prishtinë: UÇK-ja themel i Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe krerët opozitarë me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës, kanë kujtuar 25 vjetorin e rënies së tyre duke vlerësuar kontributin e tyre për lirinë e Kosovës.

“Sot i kujtojmë dëshmorët dhe martirët e Marecit – janë 27 dëshmorë dhe 16 martirë që ranë heroikisht para 25 vjetëve. Gjithashtu nga sot e katër ditët në vijim përkujtojmë masakrën më të madhe në Komunën e Prishtinës, e cila ka ndodhur në fshatin Makoc ku janë vrarë 115 civilë në mesin e të cilëve aq shumë pleq e fëmijë”.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve që ranë në rrugën tonë të përbashkët për lirinë e Kosovës e çlirimin e popullit” u shpreh kryeministri, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ndjehet krenarë për mundësinë që i është dhënë atij dhe shumë pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e vendit.

“Si bashkëluftëtar i këtyre dëshmorëve dhe komandant i këtij batalioni, përjetësisht, ndjehem krenar me mundësinë që mu dha që krahë vajzave dhe djemve, grave dhe burrave të UÇK-së të jap kontributin tim në shërbim të çlirimit të vendit”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeli i ushtrisë dhe shtetit tonë”, ka shkruar Maqedonci.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë ditës ka bërë homazhe duke u shprehur se në këtë ditë duhet të nderohet guximi dhe sakrifica e tyre.

“Ideali dhe trashëgimia e dëshmorëve të kombit na frymëzon të çmojmë e mbajmë lart vlerat për të cilat ata luftuan dhe u flijuan: lirinë, drejtësinë dhe prosperitetin”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, potencoi se kujtimi për ta duhet të bëhet me krenari për shkak të vendosmërisë e guximit të luftëtarëve të Brigadës 153 “Hyzri Talla” dhe të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.

“Në këtë datë shumë vëllezër e motra nga fshatrat e rrethit të Prishtinës pësuan nga dora e agresorit të egër. Me dhimbje kujtojmë të rënët në masakrat e Makocit, Grashticës, Bërnicës dhe fshatit Llukar”.

Teksa kujtoi masakrën që kishte ndodhur masakrën në Podujevë, ai kujtoi që e një ngjarje tragjike kishte ndodhur edhe tek familja Reka dhe Berisha.

“Prilli i vitit 1999 për shumë familje të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugë për t’i shpëtuar masakrave nga armiku, u shndërrua në ditë krimi të paparë. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan mbi 124 civilë të pafajshëm, duke mos kursyer askënd, nga fëmiu 7 vjeçar e deri te plaku 90 vjeçar”, ka shkruar ai.

“Në të njëjtën ditë, në Bërnicë të Prishtinës armiku ekzekutoi 6 anëtarë të familjes Reka dhe një të familjes Berisha. Kjo histori e dhimbshme mbi popullin tonë akoma nuk e mori dënimin e merituar nga drejtësia!”.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore