Shqipëria

“Punonjësit e policisë dhe burgjeve, rritje të pagës për vitin 2022”


“Pagat e punonjësve të Policisë do të rriten dhe do të vijë në formën e bonusit dhe do t’i cojë në 150% pagën e punonjësve të policisë”.

Kjo ishte deklarata e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, pasditen e 22 tetorit.

Rritja e pagës, sipas Çuçit, do të ketë në fokus ata punonjës policie që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit.

Ndërsa vijoi duke theksuar se do të ketë investime në infrastrukturën digjitale dhe teknologji. Kjo e fundit do të rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit.

“Kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë e Qeverisë, ku zhvillimi i teknologjisë ka qenë prioritet”, ravijëzoi ai.

Të njëjtë deklaratë bëri dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ky i fundit tha se pagat e punonjësve për policinë e burgjeve do të barazohen me ato të policisë së shtetit.

Ajo që ra në sy ishte se Manja tha se, “pagat e grave të policisë së burgjeve do të barazohen po ashtu me ato të burrave”.

Ndërkohë Ministri Manja shtoi se lufta kundër korrupsionit do të vijojë.

“Agjencia kundër korrupsionit do të ketë një buxhet të veçantë, që mos të tundohen nga oferta të ndryshme që mund t’u vijnë”, ishte mesazhi i Manjës.

Në përfundim ai tha se, “funksionarët do të jenë të mirëpaguar. Nga skema e bonuseve, përfituese është edhe Drejtoria e kodifikimit”, e mbylli Manja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore