Sport

PSG kërkon futbollistin e Barcelonës


Futbollisti i Barcelonës, Frenkie de Jong, është bërë objektivë e disa skuadrave të mëdha evropiane.

Të fundit që kanë hyrë në garë, janë edhe gjigandët e Paris Saint Germain, të cilët dëshirojnë ta transferojnë futbollistin gjatë afatit kalimtar veror.

Sipas “Footmercato”, drejtori i ri sportiv i skuadrës franceze, Luis Campos, dëshiron të forcojë organikën me “tulipanin” 25-vjeçar, të cilin e ka ndjekur që kur luante për Ajaxin.

“Le Parisien”, nga ana tjetër, shpjegon se mesfushori do të donte të luante me Kylian Mbappe-n, i cili sapo ka rinovuar me klubin parisien deri në qershor 2025.

Parisi, në fakt, e ka kërkuar de Jong-un edhe disa vite më parë, por ai zgjodhi Barcelonën në verën e vitit 2019.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e holandezit, i cili kërkohet edhe nga Manchester United, ku do të kishte mundësinë të ri-takohej me ish-trajnerin e tij tek Ajaxi, Erik ten Hag.

Kujtojmë që De Jong ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2026 dhe për ta shkëputur nga klubi, PSG duhet të paguajë një shumë të majme në arkat e klubit spanjoll.

Gjatë këtij sezoni, holandezi ka zhvilluar në total 47 ndeshje me klubin katalanas në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar pesë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore