Lajme

Pse po rriten kaq shumë çmimet në Kosovë?


Ilustrim

Muajve të fundit në Kosovë çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.

“Shumë e vështirë me ble produkte ushqimore në markete tona, sidomos kur kemi rroga prej, 150 euro dhe 180 euro, këto ngritje të çmimeve po e vështirësojnë edhe më shumë jetesën e po na pamundësojnë që muajin ta përfundojmë me një rrogë”, thotë Hazir Zylfiu për Albanian Post, qytetar nga Prishtina që po bënte pazaret e tij.

Ngjashëm si Haziri po mendon edhe Besim Ibrahimi. Por, ai shton se nuk po i kupton arsyet pse po ndodh kjo ngritje e çmimeve në tregun e Kosovës.

“Ka pas rritje, djathi, produktet elementare tash janë me çmim shumë më të rritur, në treg. Nuk e di pse po ndodh, por po krijon shumë vështirësi për ne qytetarët. Vetëm arsyet nuk po i kuptoj pse po i rrisin çmimet”, u shpreh Ibrahimi.

Sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritje të çmimeve ka pasur tek vajrat dhe yndyrat ushqimore.

Ngritje përveç produkteve ushqimore, ka pasur edhe në drithëra, karburante dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, më pas të duhani dhe produkte të tjera.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, deklaroi për Albanian Post se arsyeje për rritjen e çmimeve është pandemia dhe dëmet që ka shkaktuar ajo në ekonominë e Kosovës.

“Rritja e çmimeve ka ndodhur dhe po ndodh për arsyeje se në shumë vende të botës, pandemia ka palëzuar ekonominë, në anën tjetër ka vazhduar shtimi i popullatës dhe ka vazhduar rritja e konsumit”.

“Ka kërkesë për konsum dhe mungesë të ofertës. Të dyja këto kanë ndikuar që ne të kemi rritje të çmimeve në Kosovë”.

Po, ripas Shahinit, njëjtë po ndodhë edhe në vendet e tjera në Ballkan dhe në Evropë.

Aktualisht, sipas të dhënave nga Aleanca Kosovare e Biznesit, rritja e çmimeve është 2.5 për qind në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, mirëpo ka produkte që ka ngritje të çmimeve deri në 40 për qind.

Përveç produkteve ushqimore në Kosovë ka rritje të çmimeve edhe në sektorin e energjisë.

“Ka pasur rritje edhe në materialet e çelikta të hekurit, pastaj kemi pasur ngritje të produkteve të energjisë të gazit derivateve të ndryshme dhe këto marrjen pjesë në rritjen në konsumim dhe në përgjithësi në ekonominë”, tregon Shahini.

Por, “edhe pse doganat dhe administratat tatimore të Kosovës, po mburren që kanë të hyra mbi 25 për qind më shumë se në vitin e kaluar, kjo nuk do të thotë që është rritur konsumi, por kjo do të thotë që është rritur vlera e pakos konsumuese e cila në mënyrë sasiore ka mbetur e njëjtë”.

Në anën tjetër, Udhëheqësi i Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, deklaron për Albanian Post se ngritja e çmimeve për 2.4 për qind do të krijojë vështirësi te konsumatorët.

“Shpenzimet që ndodhin çdo ditë, nëse këtyre shpenzimeve ia shtojmë 2.4 për qind duke marrë parasysh edhe ngritjen e çmimeve të banesave, kjo e fuqizon reagimin e konsumatorit në veçanti konsumatorit të varfër. Pra, për këta të fundit kjo ngritje është e padurueshme”, pohon Kaçaniku.

Ndërkaq thekson se, “këto rritje enorme dhe moskujdesi i Qeverisë kanë ndikuar edhe në falimentimin e një pjese të madhe të qytetarëve e familjeve të varfëri konsumatorë”.

Po ashtu, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, çmimet globale për ushqim janë rritur në baza mujore me ritmin më të shpejt në dekadë.

Rritje të çmimeve sipas të dhënave ka pasur edhe në vendet e rajonit.

“Shërbimi arsimor” është grupi ku çmimet janë rritur më shumë që nga viti 2001, ndërsa çmimet në grupet “Komunikimi” dhe “Veshje dhe këpucë” kanë pësuar rënie ndër vite”, sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë.

Në Serbi, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave, çmimet e konsumit janë rritur për 3.3 për qind.

Ndërsa, në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave, rritje më të madhe të çmimeve kanë pasur restorantet dhe hotelet me 5.6 për qind, pasur nga pijet alkoolike dhe duhani me 5.3 për qind.

Në Malin e Zi, çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike janë rritur për 2.8 për qind. Por, rritja më e madhe është shënuar në çmimet e naftës me 37.6 për qind dhe, sipas autoriteteve, deri te kjo rritje ka ardhur për shkak të inflacionit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën janar-maj 2021, autoritetet kanë raportuar për një rritje mesatare të çmimeve prej 1.4 për qind, por rritjen më të madhe të çmimeve e ka përjetuar transporti me 10.2 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore