Shqipëria

PS kërkon përjashtimin e Saimir Korreshit, Edmond Spahos dhe Kastriot Pirolit


Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga seanca plenare të deputetëve Saimir Korreshi, Edmond Spaho dhe Kastriot Piroli.

E gjitha vjen një ditë pasi ata krijuan kaos në Kuvend dhe ndezën tymuese, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës plenare.

Edhe pse në kaos, mazhoranca miratoi seancën e djeshme plenare rregulloren e re, e cila përjashton me 30 deri në 60 ditë deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend.

Seanca zgjati vetëm tetë minuta, ndërsa 13 deputetët e përjashtuar për më shumë se një orë e gjysmë, në përpjekje për t’u futur në sallë, u përplasën fizikisht me gardën.

Po ashtu ata thyen xhamin e derës kryesore të Kuvendit.

Pas përfundimit të votimit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi paralajmëroi se rregullorja e re do të çohet po në Kushtetuese.

Çfarë ndodhi?

Nisi – dhe u mbyll – seanca plenare e së enjtes mes kaosit dhe deputetëve të përjashtuar që nuk u lejuan të futen në sallë.

Teksa deputetët opozitar zhurmuan duke përplasur tavolinat, kryeparlamentarja Lindita Nikolla nisi seancën duke lexuar nismat ligjore për t’u miratuar.

Ajo ka bërë me dije se në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur shkresa e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen për emigrantët me Italinë, duke e hequr atë nga rendi i ditës.

Në Kuvend ishte parashikuar miratimi i marrëveshjes për emigrantët me Italinë.

Por Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim padinë e deputetëve Berisha-Bardhi duke pezulluar ratifikimin në Kuvend deri me daljen e një vendimi.

Ndërkohë, seanca u mbyll brenda pak minutash mes zhurmës dhe flakadanëve të hedhur nga deputetët opozitarë.

Megjithatë, edhe pse zgjati pak, u miratua rregullorja e re për përjashtimin e 30 deri në 60 ditë të deputetëve që prishin seancat plenare.

Sakaq – menjëherë pas miratimit të rregullores – Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka paralajmëruar dërgimin në Kushtetuese të saj.

“Ne nuk e njohim dhe nuk do t’i bindemi atyre rregullave me të cilat nuk kemi rënë dakord”, ka theksuar ai.

Ashtu siç tashmë është kthyer në “traditë”, deputetët e opozitës kanë shkaktuar kaos akoma pa nisur seanca plenare.

Kësaj here përplasjen e kanë pasur me Gardën, në dyert e Parlamentit.

Kjo, pasi deputetët e përjashtuar nuk janë lejuar të futen në sallë.

Ka qenë deputeti Flamur Noka, i cili nga pamjet shihet duke u shtyrë me punonjësit e sigurisë.

Deputetët e Rithemelimit janë përplasur me punonjësit e gardës para ambienteve të Kuvendit dhe kanë tentuar që të futen brenda.

Nga ana e deputetëve ka pasur pretendime se kjo që po bëhet është “çmenduri” pasi nuk po lejohen të futen në seancë dhe deputetët që nuk janë të përjashtuar.

Deputetët e përjashtuar janë Gazment Bardhi, Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Ervin Salianji, Bledion Nallbati, Asllan Dogjani, Lefter Gështenja, Isuf Çelaj, Luan Baçi dhe Xhelal Mziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore