Shqipëria

Protestojmë bashkë, të përçarë qëndrojmë


Rrugë të bllokuara. Përgatitjet e autoriteteve janë po ato të zakonshmet. Por diçka nuk ngjet me protestat e tjera opozitare.

Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bëjë bashkë dy kufij opozitar brenda llojit të cilat janë ndrydhur prej më shumë se një viti.

E shtuna e 11 shkurtit në thelb duhet t’i ngaste opozitës frerët e pakënaqësive me kërkesën e pandryshuar të “dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama”.

Kjo, si shenjë revolte kundër ekzekutivit aktual dhe për të demonstruar mbi një sërë çështjesh me rëndësi madhore për vendin.

Por, në praktikë terreni dëshmon se ky bashkim është i sforcuar dhe i pazakontë ndërkohë që të dyja grupimet kanë nxjerrë kandidatët respektivë për zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Duket se ka një presion që të bëjë numrat e parlamentarëve të PD-së në terrenin e protestës, sesa të tregojë frymën e vërtetë brenda PD-së dhe në këtë vazhdë, shikoj edhe një mënyrë për t’i bërë të kompleksuar njerëzit e Alibeajt, që nga ana e tyre e kanë humbur sensin për të bërë presion me anë të protestës. Më duket se ka presion ndaj njerëzve të PD-së për të marrë pjesë në protestë brenda sinorëve të logjikës së Berishës”, shprehet për Albanian Post gazetari Ben Andoni.

Sipas tij, ky bashkim opozitar është i sforcuar si koncept, përderisa çështja “McGonigal” nuk po merr udhën e mëtuar nga ana e opozitës.

McGonigal akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për deklarime të rreme dhe falsifikime dokumentacioni.

Po ashtu, ai rezulton se ka pasur edhe takime të mëparshme me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit nuk është i implikuar në veprimtarinë që ish-zyrtari amerikan ka ushtruar më parë në Shqipëri dhe vende të tjera.

Hetimi

E përditshmja amerikane “New York Times” publikoi më 3 shkurt detaje të reja nga hetimi i prokurorëve në Washington duke shkruar se ndërsa ishte ende në FBI, McGonigal zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin Rama dhe “ndërmori hapa në dobi të politikanit”.

Botimi amerikan ngre dyshime për përplasje lobimesh, por pa arritur në asnjë konkluzion referuar prokurorëve amerikanë.

Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Dorian Duçkën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të pasur mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.

Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.

Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte Ramën. Partia drejtohej asokohe nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.

McGonigal hapi një hetim federal për një lobist për Lulzim Bashën, kundërshtar politik i Ramës në Shqipëri, thanë prokurorët.

Një tjetër detaj i ri lidhet me gatishmërinë e McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, sipas botimit, një vend që ka një prani diplomatike amerikane.

Kjo e fundit sugjeron se ish-zyrtari nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët.

Ai gjithashtu përdori adresa e e-mailit dhe telefonin e FBI-së për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.

Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte McGonigal për ato udhëtime dhe shoqata mund të kishte shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë të tjerë.

(Re)volucion

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha do të shprehej se “regjimi i pashembullt”, siç e quan ai qeverisjen aktuale, mund të përmbyset vetëm me anë të një revolucioni.

“Nuk ka zgjidhje përveç një revolucioni për të përmbysur këtë regjim të pashembullt. Edi Rama organizon darkën famëzezë me shefat e policisë në vend, në shkelje me çdo ligj dhe parim për policinë.

Për gazetarin Andoni, PD-ja, si parti e djathtë, nuk mund të bëjë revolucion.

“Revolucionet i bëjnë të Majtët kurse të Djathtët bëjnë dhe ruajnë institucionet. Ndërkohë Berisha duket se po i karikon të tijtë me fjalët: Protestë e qetë dhe paqësore por nuk e di se çfarë mund të bëjë turma”, vijon në shpjegimin e tij analisti.

Sipas tij, janë shumë njerëz të Berishës, që janë “vazhdim i tij dhe i mendimit të tij, që gjithnjë para çdo proteste thonë në ekranet e televizioneve se sot është dita e fundit e Ramës”.

“Më vjen keq të them por ka shumë më tepër opozita kauza sesa kjo e të shtunës. Ato lidhen me korrupsionin dhe punën e dobët të ekzekutivit, por edhe me një punë që duket shumë e shkrehur prej tyre”, theksoi Andoni në argumentimin e tij.

Detajet

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike do të shohë të angazhuar në terren 1 mijë e 100 forca policore, mes të cilëve edhe ata të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo Gardës së Republikës.

Një kordon me efektivë, pritet të formohet para Kryeministrisë, si në çdo demonstratë tjetër, duke e blinduar perimetrin rreth godinës.

Në terren ndërkohë, do të përfshihen edhe agjentë civilë, të cilët do të monitorojnë nga brenda protestën, për mbarëvajtjen e saj.

Dera e Kryeministrisë ndërkohë pritet të blindohet me një pjesë të shtuar metalike.

Ndërsa, përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, janë vendosur nga autoritetet kamera me rezolucion të lartë, për evidentimin e çdo problematike.

Disa segmente rrugore ndërkohë do të jenë të bllokuara, duke filluar një orë përpara protestës.

Ato do të jenë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Në këto akse, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve.

Nisja e protestës pritet të jetë në orën 12:00.

“Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu bëhet me dije se foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë dhe personat që do të flasin do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Njësoj si artikulli i publikuar nga botimi gjerman “Bild” për lidhjet mes McGonigal dhe kryeministrit Rama, i cili u fshi pak orë pas shpërndarjes edhe kjo protestë mund të shpërbëhet nëse nuk gjen një kauzë të vërtetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore