Shqipëria

Berisha thërret protestë kombëtare më 11 shkurt


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thirrur një protestë kombëtare më 11 shkurt, si shenjë revolte kundër regjimit aktual dhe për të demonstruar mbi një sërë çështjesh me rëndësi madhore për vendin.

Këtë njoftim, ai e bëri menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së, e cila zgjati rreth tre orë.

“Në 11 shkurt Shqipëria vërshon drejt Tiranës, ndërsa Tirana vërshon në rrugë e sheshe në një protestë kombëtare që nuk e ka parë vendi ndonjëherë”, kështu njoftoi kryedemokrati, duke ftuar të gjithë shqiptarët në demonstratë.

Më herët, numri një i selisë blu mbajti një qëndrim të radhës mbi çështjen e Charles McGonigal, duke thënë se si ish-zyrtari i lartë i FBI-së, ka edhe të tjerë në SHBA dhe Evropë.

Ky i fundit, akuzohet në SHBA për lidhje me oligarkun rus, Oleg Deripaska, si edhe për deklarimeve të rreme dhe falsifikime dokumentacioni.

Po ashtu, ai rezulton se ka pasur edhe takime të mëparshme me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit nuk është i implikuar në veprimtarinë që McGonigal ka ushtruar më parë në Shqipëri dhe vende të tjera.

Berisha gjithsesi, e ka akuzuar kreun e Qeverisë shqiptare, se me McGonigal, Rama ka pasur si qëllim asgjësimin e opozitës shqiptare.

“McGonigal u përdor gjithashtu dhe për afera korruptive të tjera, për licenca. Ai u shpërblye me 225 mijë dollarë thuhet në dokument, me 500 mijë dollarë nga një bakë e Qipros dhe me miliona thuhet gjerësisht”, shtoi më tej numri një i bluve.

McGonigal, u hetua fillimisht, më pas arrestua e më tej ende u lirua dhe po gjykohet në liri me kusht, lidhur me deklarime të rreme, falsifikim dokumentesh dhe lidhjet me oligarkun Oleg Deripaska.

Në Shqipëri gjithsesi, edhe pse akuzohet për lidhje me kryeministrin Rama, McGonigal e daton aktivitetin prej vitit 2007, kur në pushtet ishte asokohe Partia Demokratike dhe në krye të Qeverisë, Sali Berisha.

Ai figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore