Lajme

Protestat në Capitol – hetim si për 11 shtatorin


Kongresmenët demokratë deklarojnë se do të marrin hapa për të hetuar ngjarjet në Capitol

Drejtuesja e dhomës së Kongresit në SHBA, Nancy Pelosi, deklaroi të hënën se ligjvënësit amerikanë do të ndërmarrin hapat ligjorë për të pasur një proces hetimi të ngjashëm me atë të 11 shtatorit, mbi protestat që u zhvilluan më 6 janar në Capitol.

“Duhet të ngremë një komision të pavarur mbi faktet dhe shkaqet e protestave që ndodhën në 6 janar”, nënvizoi Pelosi. Në një letër drejtuar Kongresit, ajo shpjegoi se “modeli, duhet të jetë i ngjashëm me atë të 11 shtatorit 2001”.

Duke qenë se sulmi ndaj kullave binjake ishte një vepër terroriste, kjo lëvizje e demokratëve të shtyn të mendosh se ata vazhdojnë ta cilësojnë si sulm terrorist ngjarjen e Capitol-it.

Në 2001-shin gjithsesi, pati një komision bipartizan për të ngritur strukturën e hetimit. Për protestën e 6 janarit, nuk ka konsensus midis demokratëve dhe republikanëve.

Ky lajm, vjen fill pas përmbylljes së procesit ndaj ish-presidentit, Donald Trump. Ky i fundit, u shpall i pafajshëm për veprën e “nxitjes së protestuesve gjatë protestave të 6 janarit në Capitol”.

Mbyllja e çështjes ndaj Trump-it, e kalon topin në fushën e protestuesve. Një pjesë e tyre, janë tashmë në procedim, pas publikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Pavarësisht hallkave të shumta ligjore që duhen ndërmarrë, një proces hetimor i tillë është i mundur të kryhet. Shtatë senatorë republikanë votuan kundër Trump-it në gjykim. Kjo e bën të mundur votën e tyre pro, për ngritjen e komisionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore