Lajme

Propaganda e Rusisë në Serbi – rrezik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor


Ilustrim

Në një raport të organizatës “Balkan Free Media Initiative (BFMI)” të publikuar rishtas, janë spikatur praktikat e Rusisë për përhapjen e propagandës dhe diskursit publik kundër insitucioneve demokratike në Ballkanin Perëndimor, në përpjekje për të minuar stabilitetin rajonal duke nxitur tensione ndëretnike, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Ky raport, nëpërmjet shqyrtimit të gjendjes aktuale në terren, ka synuar të hedhë dritë mbi shtrirjen dhe ndikimin e fushatave dezinformuese ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar njëkohësisht zgjidhje të zbatueshme për të garantuar mbrojtjen e institucioneve demokratike, sigurinë kombëtare dhe rajonale, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Raporti i BFMI-së ka shqyrtuar rastin e Serbisë dhe Bullgarisë, dy shtete ballkanike në mes të një kryqëzimi kritik ndërmjet demokracisë liberale dhe autoritarizmit. Në Serbi, dezinformimi është gjetur se përhapet kryesisht përmes depërtimit dixhital, por edhe përmes mediave tradicionale, duke përfshirë stacionet televizive dhe gazetat kryesore.

Dy kanalet televizive me shikueshmërinë më të lartë TV Pink dhe TV Happy janë ndër burimet kryesore të përhapjes së dezinformatave në Serbi. Kanalet e tjera komerciale TV Prva dhe B92 TV janë zbuluar se gjithashtu kanë tranmsetuar dezinformata pro-Rusisë, megjithëse në një masë më të vogël.

E peizazhi i mediave të shkruara në Serbi dominohet kryesisht nga tabloidët që prodhojnë përmbajtje sensacionale dhe shpërndajnë shpesh dezinformata pro-ruse dhe pro-qeveritare, të cilat shpesh burojnë nga deklaratat publike ose intervistat televizive, pa përjashtuar propagandën dhe dezinformatat mbi zhvillimet politike në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, krahas tabloidëve për përhapjen e fushatës propagandistike ruse, veçanërisht sa i përket zhvillimeve politike dhe stituatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe – Informer, Kurir dhe Večernje Novosti – janë edhe tabloidet kryesore Sërpski Telegraf, Alo dhe Politika, të cilat përhapin dezinformata në Serbi.

​Nuk është sekret se Rusia ka kohë që po udhëheq një fushatë kundër kombeve të vogla ballkanike dhe shteteve perëndimore, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe të provokojë trazira që do të prodhojnë destabilizimin e rajonit në të ardhmen.

Ballkani është në luftë – në luftë kundër fushatës dezinformuese të Rusisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore