Kosova

Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit


Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo kërkesë nga Prokuroria është bërë me anë të dy shkresave drejtuar trupit gjykues.

Në këto shkresa është thënë se gjyqtari i procedurës paraprake dhe Gjykata e Apelit kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur se paraburgimi i tyre është i arsyetuar në baza të shumta.

Se asnjëri kusht tjetër përvec paraburgimit në objektet e Dhomat e Specalizuara të Kosovës nuk do të ishte i mjaftueshëm për të minimizuar rreziqet dhe se periudha e paraburgimit duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse është e arsyeshme.

Sipas prokurorisë, që nga përcaktimi më i fundit i këtij Paneli më 17 janar 2023, nuk ka pasur asnjë ndryshim në rrethanat që meritojnë të devijojnë nga ai përcaktim raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për çka po akuzohen ish krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Gjykata Speciale

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore