Lajme

Projekti Pegasus: Princesha Haya në listën e të dhënave


Numrat e telefonit të Princeshës Haya bint al-Hussein dhe tetë bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë janë shfaqur në listën e të dhënave të zbuluara nga projekti Pegasus.

Ndërsa aeroplani i saj u ul në prill të 2019, princesha, e cila shoqërohej nga dy fëmijët e saj, shpresonte që të ishte larg ish-burrit të saj, emirit të Dubai-t, Sheik-u Mohammed bin Rashid al-Maktoum.

Ajo nuk e dinte, megjithatë, se kishte të ngjarë që numrat e telefonit që i përkisnin asaj, ndihmësve të saj më të afërt, këshilltarëve dhe miqve, po futeshin në një sistem kompjuterik të operuar nga agjentët e emiratit të Dubai-t, një nga klientët e prodhuesit të spyware NSO Group.

Këto të dhëna janë marrë nga “Forbidden Stories” dhe Amnesty International dhe janë analizuar nga organizatat e medias në të gjithë botën.

Në zbulime përfshihet numri i ndihmësit personal të Haya-s, firmës së saj private të sigurisë dhe madje edhe një prej avokatëve që e këshillonte atë për mosmarrëveshjet e saj të kujdestarisë me Sheik-un Mohammed.

Till Dunckel, një avokat gjerman që përfaqëson Sheik-un Mohammed, i tha gazetës Süddeutsche Zeitung se Sheik-u mohon prerazi që të ketë tentuar të hack-ojë telefonat e personave të përmendur.

Marrëdhënie e përkeqësuar

Pjesa më e madhe e asaj që dihet në lidhje me rrethanat në të cilat Princesha Haya u largua nga Dubai për në Londër është e detajuar në një gjykim publik të vitit të kaluar.

Marrëdhënia e saj me Sheik-un Mohammed, e cila kishte qenë e përzemërt, filloi të përkeqësohej pas një përpjekjeje shumë publike dhe të pasuksesshme për arratisje nga Princesha Latifa, vajza e tij.

Haya, sipas gjykimit, filloi të bënte kërkime në lidhje me mirëqenien e Latifa-s, por më pas filloi të përjetonte një “klimë progresive më armiqësore” nga sheiku dhe këshilltarët e tij.

Anëtarët e besuar të stafit të saj u shkarkuan pa miratimin e Haya-s. Ajo dhe përfaqësuesi i saj u dëbuan nga gjykata e sunduesit – “një shuplakë e madhe publike në fytyrë”, sipas saj.

Ajo gjithashtu zbuloi se Sheik-u Mohammed ishte divorcuar prej saj, sipas ligjit të Sheriatit më 7 shkurt 2019, në përvjetorin e vdekjes së babait të saj, pa ia thënë asaj fillimisht.

Disa javë më vonë, gjykimi përshkroi se si ajo pretendoi se Sheik-u Mohammed e telefonoi atë drejtpërdrejt.

“Unë kam marrë një lajm të keq për ty”, tha ai, duke bërë një krahasim të paqartë në marrëdhënien e saj me një nga truprojat e saj.

Ai vijoi telefonatën, duke i thënë Haya-s se kishte filluar të dyshonte tek ajo. Sipas Haya-s, në deklaratën përballë gjykatës, kjo thirrje e “tmerroi” atë.

Reagimi i NSO Group

NSO Group thotë se nuk mund të kontrollojnë se si e përdorin qeveritë, produktin e tyre të shkallës ushtarake Pegasus.

Pegasus është i aftë të infektojë fshehurazi një telefon dhe, më pas, të përftojë sasi të mëdha të të dhënave nga ai.

Ai thotë se Pegasus supozohet të përdoret vetëm për të parandaluar terrorizmin e krimin serioz dhe se klientët e tij nënshkruajnë kontrata, duke rënë dakord për këto kushte kur blejnë një licencë.

Kompania beson se baza e të dhënave – e shqyrtuar nga konsorciumi mediatik – “nuk ka asnjë ndikim në listën e synimeve të klientëve të Pegasus, ose ndonjë produkti tjetër”, megjithëse tha se “mund të jetë pjesë e një liste më të madhe numrash që mund të jenë përdorur nga klientët e Grupit NSO për qëllime të tjera” që ishin plotësisht të ligjshme.

NSO-ja gjithashtu thotë se është e ndaluar ligjërisht dhe me kontratë të identifikojë klientët e saj qeveritarë.

Por një burim i njohur me operacionet e kompanisë konfirmoi se brenda vitit të kaluar ,ajo i kishte hequr Dubai-t licencën e Pegasus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore