Lajme

Projekti Pegasus: Në listë janë 50 njerëz të afërt me presidentin meksikan


Të paktën 50 njerëz pranë presidentit të Meksikës, Andrés Manuel López Obrador – përfshirë gruan, fëmijët, ndihmësit dhe mjekun e tij – u përfshinë në një listë të zbuluar të numrave të zgjedhur nga klientët qeveritarë të kompanisë izraelite NSO Group para zgjedhjes së tij.

Politikanët nga çdo parti, si dhe gazetarët, avokatët, aktivistët, prokurorët, diplomatët, mësuesit, gjykatësit, mjekët dhe akademikët, gjenden midis më shumë se 15 mijë individëve.

Këta të fundit janë zgjedhur si objektiva të mundshëm për mbikëqyrje midis vitit 2016 dhe 2017. Kjo, sipas një hetimi nga një bashkëpunimi i mediave ndërkombëtare.

Shifra e jashtëzakonshme e numrave meksikanë në të dhënat e zbuluara – përfshirë telefonat që u përkasin priftërinjve, viktimave të krimeve të sponsorizuara nga shteti dhe fëmijët e figurave të profilit të lartë – minon rëndë pretendimet e NSO-së.

Kjo e fundit vijon të deklarojë se software i saj i spiunimit përdoret vetëm nga klientët e tij për të luftuar krimin e rëndë dhe terrorizmin.

Kontratat me NSO-në mund të përllogariten në qindra miliona dollarë, në Meksikë, aty ku gjysma e popullsisë jeton në varfëri.

“Kapaciteti i Meksikës për të spiunuar qytetarët e tij është i pamasë. Dhe është jashtëzakonisht e lehtë që teknologjia dhe informacioni i marrë përmes spiunimit të bien në duar private – qoftë krim i organizuar apo tregtar”, tha Jorge Rebolledo, një konsulent i sigurisë në Meksiko.

Sipas Rebolledo-s, ajo që dihet është vetëm maja e ajsbergut.

Rrjedhja e të dhënave nga një listë me më shumë se 50 mijë numra telefoni, besohet se që nga viti 2016 janë zgjedhur nga klientët qeveritarë të NSO Group.

Ndërtimi i situatës

Regjistrimet përfshijnë një periudhë drejt fundit të një prej administratave meksikane më të korruptuara në historinë e fundit. Asokohe, ish-presidenti Enrique Peña Nieto dhe partia e tij Revolucionare Institucionale (PRI) po “binin” ndjeshëm në sondazhe.

Gjetjet pasqyrojnë paralajmërime nga ekspertët e sigurisë se mbikëqyrja kibernetike është e parregulluar dhe jashtë kontrollit në Meksikë.

Meksika është një vend ku qeveritë federale dhe shtetërore kanë përdorur prej kohësh informatorë, infiltrues dhe pajisje dëgjimi për të monitoruar dhe shtypur mospajtimet.

Ajo ishte vendi i parë në botë që bleu Pegasus-in nga NSO-ja, e cila në atë kohë ishte në fillimet e saj.

Ministria e Mbrojtjes ishte e para që bleu spyware në vitin 2011 – pesë vjet pasi forcat e armatosura u vendosën në “luftën kundër drogës”.

Kur u bë marrëveshja, policia, ushtria dhe marina e Meksikës ishin përfshirë tashmë në abuzime sistematike të të drejtave të njeriut, duke përfshirë tortura, zhdukjet e imponuara dhe vrasjet jashtëgjyqësore.

Agjenci të tjera meksikane që blenë ose operuan Pegasus-in përfshijnë zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe shërbimin e inteligjencës së sigurisë kombëtare (Cisen).

Disa forca të sigurisë shtetërore besohet gjithashtu të kenë akses në spyware dhe korrupsioni i përhapur ka nxitur shqetësime se mund të përfundojë në duar të gabuara.

Në vitin 2012, Peña Nieto, një politikan i ri mundi López Obrador, ish-kryebashkiakun e Meksikos, duke kthyer PRI-në në pushtet pas një “thatësire” 12-vjeçare.

Peña Nieto premtoi ta kthente Meksikën në vendin që i takonte në skenën botërore. Por një varg skandalesh korrupsioni, abuzimesh të të drejtave të njeriut dhe mbulimesh e njollosën shpejt reputacionin e tij.

Pegasus

Ndërkohë, López Obrador, i njohur si Amlo, tashmë po planifikonte ri-kandidimin për presidencën – dhe partia e tij, Lëvizja Kombëtare e Rigjenerimit (Morena) po fitonte terren në zgjedhjet lokale.

Gjatë fushatës, klientët meksikanë të NSO-së zgjodhën pothuajse të gjithë në rrethin e tij të ngushtë si persona me interes – përfshirë gruan e tij, tre djemtë, tre vëllezërit dhe dy ish-shoferët, sipas analizës së të dhënave të zbuluara.

Amlo rrallëherë përdorte telefonin e tij, duke u mjaftuar me telefonat e ndihmësit apo dhe shefit të komunikimit.

Shefi i tij i stafit, Alfonso Romo, këshilltari i tij ligjor, Julio Scherer Ibarra dhe koordinatori i tij i komunikimit, Jesús Ramírez Cuevas, gjithashtu ishin pjesë e sulmeve kibernetike.

Amlo u operua në vitin 2013 pas një ataku në zemër në moshën 60-vjeçare. Fill pas kësaj, shëndeti i tij u bë objekt i spekulimeve të shtypit, duke hedhur dyshime mbi aftësinë e tij për të qeverisur.

Dhjetëra figura kombëtare dhe lokale të Morena-s u zgjodhën gjithashtu nga klientët meksikanë të NSO-së, duke përfshirë Claudia Sheinbaum, e cila më vonë u bë kryebashkiakja e Meksikos.

Mbetet e paqartë se sa telefona u vunë në shënjestër ose u “infektuan” me sukses, por bisedat private – përfshirë një mes djalit të Amlo-s dhe një zyrtari të lartë të partisë – shpesh dilnin në media.

“Unë gjithmonë mendoja se regjimi i vjetër po na spiunonte për qëllime politike”, tha Sheinbaum kur u informua për shënjestrën.

Sipas saj, spiunazhi politik u përdor si një formë persekutimi, e cila është e paligjshme.

Ajo shtoi se sot inteligjenca përdoret për të zvogëluar dhunën dhe krimin në një mënyrë ligjore.

Agjencitë meksikane u përpoqën të vinin në shënjestër politikanë nga çdo parti – përfshirë PRI-në qeverisëse – me Pegasus. Të dhënat e zbuluara sugjerojnë se të paktën 45 guvernatorë aktualë dhe ish-guvernatorë të 32 shteteve të Meksikës ishin kandidatë për mbikëqyrje gjatë periudhës dyvjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore