Shqipëria

Projekti ‘Pegasus’: Avokatë dhe aktivistë nga e gjithë bota në rrezik


Pas rrjedhjes së të dhënave telefonike, avokatët e të drejtave të njeriut, aktivistët dhe disidentët në të gjithë globin mund të jenë kandidatë të mundshëm për mbikëqyrje përmes telefonave të tyre.

Numrat e tyre të telefonit u shfaqën në regjistra “të zbuluar”. Kjo tregon që ata ishin zgjedhur para një vëzhgimi të mundshëm nga klientët qeveritarë të kompanisë izraelite NSO Group, e cila zhvilloi produktin e spiunimit, Pegasus.

Në Azerbajxhan, ku diktatori i vjetër, Ilham Aliyev, ka tolerancë të ulët, u shfaqën të dhëna të shumta nga aktivistët azerë.

Disa gjetën korrespondencën e tyre personale ose fotografitë intime të botuara në internet, ose në televizion.

Numrat e telefonit të gjashtë disidentëve ose aktivistëve në vend, korrespondenca private e të cilëve ishte paraqitur në një program televiziv në vitin 2019, renditen në regjistrat e zbuluar.

Aktivistët “e sulmuar”

Aktivistet shpesh janë vënë në shënjestër të komprometimeve seksuale. Në vitin 2019, fotografitë intime të aktivistes së shoqërisë civile dhe gazetares Fatima Movlamli u zbuluan në një profil fals në Facebook.

Nuk është e qartë se si u morën fotografitë e saj, por Movlamli beson se të dhënat e saj private u gjeneruan kur policia mori telefonin e saj gjatë një marrjeje në pyetje të dhunshme.

Numri i saj ishte gjithashtu në regjistrat e marrë nga konsorciumi.

Indi

Umar Khalid, një student aktivist në Universitetin Jawaharlal Nehru në Delhi dhe udhëheqësi i Unionit Demokrat të Studentëve, u zgjodh si shënjëstrimi i mundshëm në fund të vitit 2018, pak para se të ngriheshin akuza për kryengritje kundër tij.

Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 me akuzat e organizimit të trazirave. Policia pretendonte se provat kundër tij përfshinin më shumë se 1 milion faqe informacione të mbledhura nga telefoni i tij, pa bërë të qartë se si u mor informacioni. Ai gjendet në burg, në pritje të gjyqit.

Arabia Saudite

Loujain al-Hathloul, aktivistja më e shquar e të drejtave të grave në Arabinë Saudite, u zgjodh si shënjestër e mundshme vetëm disa javë para rrëmbimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2018. Ajo u detyrua të kthehej në Arabinë Saudite, ku u burgos për tre vjet dhe kundrejt saj pretendohet të jenë përdorur tortura.

Besohet se Hathloul u zgjodh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një klient i njohur i NSO-së dhe aleat i ngushtë i Arabisë Saudite.

Pavarësisht lirimit të saj nga burgu në shkurt 2021, aktivistja saudite nuk lejohet të flasë me gazetarë ose të lëvizë lirshëm brenda Arabisë Saudite dhe i ndalohet ende lëvizja jashtë vendit.

Hathloul më parë kishte zbuluar se postat e saj elektronike ishin hack-uar.

“Supozimi im është që ata po e sulmonin atë për të njohur njerëzit me të cilët ajo po ndërvepron”, tha Hala al-Dosari, një aktiviste daudite me bazë në SHBA.

Meksikë

Në Meksikë, të dhënat tregojnë përzgjedhje të gjerë të aktivistëve, avokatëve dhe mbrojtësve të të drejtave mbi shënjestrimet e tyre të mundshme, përfshirë Eduardo Ferrer Mac-Gregor Poisot, një gjykatës që ishte presidenti i gjykatës ndër-amerikane për të drejtat e njeriut dhe Alejandro Solalinde, një prift katolik dhe kampion i të drejtave të migrantëve.

Solalinde tha se ai besonte që qeveria e mëparshme meksikane ishte “duke kërkuar diçka për të dëmtuar reputacionin e tij dhe ta përdorte si shantazh” për shkak të mbështetjes së tij për një rival politik.

Ai shtoi se ishte paralajmëruar nga një ish-agjent i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (Cisen) për mbikëqyrjen e tij.

John Scott-Railton i “Citizen Lab”, i cili lëshoi ​​një raport mbi shënjestrimin e aktivistit nga Emiratet, Ahmed Mansoor me Pegasus-in në vitin 2016, tha se “shënjestrimi i disidentëve duhet të qëndrojë në të njëjtën paralelizëm me shënjestrimin e krerëve të shteteve, shënjestrimin e ambasadorëve, si shënjestrimi i korporatave të mëdha dhe kontraktuesve të mbrojtjes”.

Avokatët, në rrezik nga mbikëqyrja

Avokatët gjithashtu paraqiten shumë në të dhënat e zbuluara.

Rodney Dixon, një avokat i shquar me seli në Londër, i cili ka marrë çështje të shumta të profilit të lartë të të drejtave të njeriut, u zgjodh si shënjestër në vitin 2019. Analiza forensike e pajisjes së tij tregoi aktivitet në lidhje me Pegasus-in por jo të suksesshëm.

Ai ka pasur si klient Matthew Hedges, një student doktorature britanik të burgosur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit saudit të vrarë Jamal Khashoggi.

Ajo gjithashtu u shënjestrua me Pegasus, me forensikën që tregonte prova të një “ndërhyrjeje” të suksesshme.

Dixon tha se askush nuk duhet të vihet në shënjestër në këtë mënyrë.

“Për avokatët është veçanërisht shqetësuese, pasi shkel parimet themelore të privilegjit dhe konfidencialitetit të avokatit-klientit, të cilat janë thelbësore për procedurat e drejta dhe ligjore”, nënvizoi Dixon.

Analiza forensike e telefonit të avokatit francez, Joseph Breham tregon se ishte kompromentuar shumë herë me Pegasus në vitin 2019 dhe të dhënat e zbuluara sugjerojnë se ai ishte zgjedhur më parë si shënjestër e mundshme nga Maroku.

“Nuk ka asnjë justifikim të mundshëm që një shtet i huaj të dëgjojë një avokat francez. Nuk ka asnjë justifikim në një nivel ligjor, etik ose moral”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore