Shqipëria

Projekti “masiv” i gjelbër në Shqipëri me vlerë 1 miliard euro


Zhvilluesi i burimeve të rinovueshme “CWP Europe” dhe biznesi “Onshore Wind” i GE Vernova-s janë bashkuar për të zhvilluar një projekt masiv hibrid të erës dhe diellit në Shqipëri, me vlerë më shumë se 1 miliardë euro.

Sipas një marrëveshjeje partneriteti projekti, palët do të punojnë për të ofruar një termocentral hibrid të rinovueshëm që pritet të prodhojë mjaftueshëm energji elektrike në vit për të mbuluar rreth 75 për qind të konsumit të të gjitha familjeve shqiptare.

Ndër të tjera, ajo pritet të krijojë edhe 1 mijë e 500 vende pune, raporton “SEE News”.

Referuar njoftimit, “projekti ka potencialin për ta ngritur Shqipërinë në statusin e një eksportuesi neto të energjisë elektrike, duke rritur ndjeshëm sigurinë energjetike rajonale”.

Nisma duket se është në një fazë të hershme, shkruan “Renewables Now”, me zhvilluesit që ende nuk kanë marrë të gjitha lejet e nevojshme të projektit dhe nuk kanë kryer një vlerësim të ndikimit mjedisor dhe social.

Stephen Swift, zyrtari kryesor tregtar, GE Vernova Onshore Wind, vuri në dukje se GE-ja dhe CWP-ja kanë partnerizuar në zhvillimin e disa projekteve me vlerë GW në të gjithë botën.

Në fillim të këtij viti, një ekzekutiv i CWP Europe tha për Renewables Now në një intervistë se kompania njeh një mundësi në mungesën e pjekurisë së tregut të Evropës Juglindore.

E themeluar në vitin 2007, CWP-ja është një zhvillues kryesor i energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore, duke zhvilluar një fermë me erë 156 MW në Serbi dhe një projekt të energjisë së erës 600 MW në Rumani.

Nga ana tjetër, GE Vernova është planifikuar të listohet në Bursën e New York-ut pas përfundimit të spinoff-it të saj në tremujorin e dytë të 2024-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore