Lajme

Procesi i Vettingut, Kurti: Do t’i takojë të gjithë udhëheqësit e partive opozitare


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditën e mërkurë ka nisur duke takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, për të diskutuar lidhur me procesin e Vettingut, pas opinionit të Komisionit të Venecias, i cili ka dhënë dritën e gjelbër për këtë nismë ligjore.

Ai pas përfundimit të takimit me kryetarin e PDK-së, ka lajmëruar se takime të këtij lloji do të zhvillojë edhe me udhëheqësit e tjerë të partive opozitare.

“Konstatojmë nevojën e përbashkët që të bëhet reforma në drejtësi dhe këto janë konsultime për rolin e të gjitha institucioneve në këtë ndërmarrje tejet të rëndësishme për forcimin e shtetit të Kosovës dhe ngritjen e cilësisë së drejtësisë”, ka thënë Kurti para mediave.

Sipas të parit të ekzekutivit, për procesin e Vettingut duhet të kontribuojnë që të gjithë, nga Qeveria deri tek institucionet e tjera, pasi e njëjta nuk ka të bëjë vetëm me një apo dy institucione po me të gjithë shtetin.

“Jo, vetëm për neve që jemi në këtë mandat aktual politik por edhe për të ardhmen më të largët”, ka shtuar ai.

Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, Qeveria ka thënë se edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë marrë konfirmim për takim, kurse sipas komunikatës Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar së do ta japin kontributin e tyre në Kuvend.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Në anën tjetër, lidhur me takimin ka folur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Për Krasniqi, partia të cilën ai e drejton para shumë vitesh ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të Vettingut, dhe në këtë frymë ajo do të jetë e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet lidhur me këtë çështje.

Më tej, ai ka potencuar, se për të zbatuar një proces të tillë, është i domosdoshëm një konsensus i gjerë ndërmjet partive politike parlamentare, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, më 18 qershor

Ndryshe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, të shtunën e 18 qershorit, një ditë pasi mori pjesë në seancën e Komisionit të Venecias, ku ishin votuar dy opinione ligjore për Kosovën, kishte treguar se kjo e fundit ka dhënë dritën e gjelbër, propozimit të Qeverisë së Kosovës për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Komisioni i Venecias, sipas Haxhiut, kishte rekomanduar institucioneve relevante të cilët do ta implementojnë procesin e vettingu, që fillimisht verifikimi të fillojë nga krerët e institucioneve të drejtësisë, përmes një mekanizmi të jashtëm, e për të vazhduar më par me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lajmin se tashmë është hapur rruga për Vettingun, me plot entuziazëm e kishte dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në konferencën për media së bashku me Haxhiun.

Sipas tij, ky reform në sistemin gjyqësor ishte vlerësuar lartë nga Komisioni i Venecias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore