Lajme

Priti Patel përballet me tre sfida ligjore mbi planet e kthimit të refugjatëve


Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, po përballet me tre sfida ligjore lidhur me planet e saj të diskutueshme për të larguar refugjatët që përpiqen të arrijnë me gomone në vend.

Disa organizata bamirëse janë të përfshira në dy nga sfidat, duke argumentuar se planet e Patel-it janë të paligjshme referuar të drejtave të njeriut dhe ligjeve detare.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, ka zbuluar se avokatët e qeverisë e kanë paralajmëruar Patel-in se ka të ngjarë të humbasë çdo sfidë ligjore kundër politikës së saj kundër kthimit.

Sfida e parë ligjore, nga Care4Calais dhe një shoqatë tjetër bamirëse, përqendrohet në faktin nëse është formuluar në të vërtetë një politikë për refuzimet.

Dhe se nëse ekziston një politikë e tillë, ajo duhet të publikohet në mënyrë që të mund të shqyrtohet.

Kurse sfida e dytë, nga Channel Rescue, një organizatë e të drejtave të njeriut që monitoron situatën për refugjatët, fokusohet në shkeljet e supozuara të ligjit detar.

Ndërkaq, e treta argumenton se politika e kthimit nuk ka bazë ligjore, autorizon sjellje të paligjshme nga zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe është e ndaluar nga konventa e refugjatëve.

Në muajin shtator, tregon “The Guardian”, disa burime qeveritare kanë informuar disa media se një ekip i Forcave Kufitare ishte trajnuar për muaj të tërë në përgatitje për fillimin e operacionit.

Ditë më vonë, vullnetarët e Channel Rescue panë zyrtarë të Forcave Kufitare duke kthyer gomonet në brigjet e Kingsdown në Kent.

Jeremy Bloom, një avokat që përfaqëson shoqatat bamirëse në sfidën e parë, ka thënë se “Zyra e Brendshme ka informuar gjerësisht shtypin dhe parlamentin se ata kanë një politikë në fuqi që u lejon të detyrojnë anijet që transportojnë azilkërkues, të largohen nga ujërat territoriale të Mbretërisë së Bashkuar”.

Sipas ankuesve, çdo politikë ka të ngjarë të shkelë detyrimet e Mbretërisë së Bashkuar sipas ligjit ndërkombëtar dhe të brendshëm dhe se çdo përpjekje për të kthyer varkat mund të vërë jetën e azilkërkuesve dhe refugjatëve në rrezik.

Themeluesja e Care4Calais, Clare Moseley, ka thënë se “refugjatët janë njerëz të pafajshëm, të cilët janë thjesht fatkeq që kanë lindur në vendin e gabuar. Ata kërkojnë ndihmën tonë. Është çnjerëzore t’i ndëshkosh ata për këtë”.

Kurse Kim Bryan i Channel Rescue ka përforcuar idenë se kthimi i gomoneve duke i rrethuar ato, “është kërcënuese për jetën e tyre dhe gjithashtu e paligjshme”, shkruan “The Guardian”.

“I kemi dhënë Zyrës së Brendshme afat deri më 29 nëntor për t’iu përgjigjur letrës sonë të protokollit para veprimit. Nëse nuk marrim përgjigje deri atëherë, do të lëshojmë procedurat e rishikimit gjyqësor”, ka shtuar Bryan.

Ndërkohë, një zëdhënës i zyrës ka theksuar se “për të mbrojtur jetët dhe për të thyer modelin e biznesit të bandave kriminale që lehtëson kalimet, është e drejtë që të vazhdojmë të vlerësojmë dhe testojmë një sërë opsionesh të sigurta dhe ligjore për të gjetur mënyra për të ndaluar varkat e vogla”.

Kjo, duke e kthyer këtë udhëtim në të rrezikshëm dhe të panevojshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore