Lajme

Pritet propozim i përbashkët i BE-së për dozën e katërt


Brenda një jave, pritet një propozim i vetëm evropian për dozën e katërt të vaksinës kundër COVID-it te të moshuarit.

Kështu ka bërë me dije ministri italian, Roberto Speranza, në përfundim të Këshillit të Ministrave të Shëndetësisë që u mbajt dje në Bruksel.

“Kemi nevojë për zgjedhje të përbashkëta, unike, për të programuar administrimin e dozës së katërt”, ka theksuar ai.

Dhe se Komisioneri për Shëndetësinë dhe presidenti francez “kanë marrë përsipër angazhimin për të bërë brenda një jave një propozim për një procedurë unike evropiane mbi kriteret”.

Çka pritet të vijë nuk është një thirrje për përforcuesin e dytë të përgjithësuar.

“Në këtë moment, në asnjë vend nuk flitet për një dozë të katërt për të gjithë. Prioriteti është mbrojtja e njerëzve më të cenueshëm”, ka sqaruar ministri italian i Shëndetësisë.

Jo më larg se një ditë më parë, vendimi i agjencisë që rregullon barnat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, FDA, autorizoi dozën e katërt të Pfizer-it dhe Moderna-s për personat mbi 50 vjeç.

Kurse marrja e dozës për pjesën tjetër të popullsisë së rritur pritet të nisë vjeshtën e ardhshme dhe për katër muaj pas të tretës.

Sipas FDA-së, dëshmitë kanë treguar se “një dozë e dytë përforcuese përmirëson mbrojtjen kundër COVID-it të rëndë”.

“Nuk mendoj se është në rregull që shtetet të zgjedhin në mënyrë të diferencuar sepse opinionet publike të vendeve tona janë të lidhura. Fushata e vaksinimit është e rëndësishme, po na lejon të hapim një fazë tjetër. Duhet të përballemi me sfidën”, ka shtuar Speranza.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore