Lajme

Prindërit në Pakistan rrezikojnë të burgosen nëse refuzojnë vaksinën ndaj poliomielitit


Prindërit në Pakistan që refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër sëmundjeve infektive mund të burgosen ose gjobiten.

Kështu rezulton sipas një ligji të ri të futur në provincën Sindh.

Futja e legjislacionit është një përpjekje për të zhdukur poliomielitin, i cili është endemik në Pakistan, por do të mbulojë vaksinat për difterinë, tetanozin, fruthin, shytat dhe rubeolën.

Prindërit që nuk lejojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen mund të dënohen me një muaj burg dhe gjobë 50 mijë rupi pakistaneze.

Ligji, i pari i këtij lloji në vend, u nënshkrua javën e kaluar dhe do të hyjë në fuqi këtë muaj.

Shazia Marri, një ish-ministre federale e sigurisë sociale nga Sindhi, ka bërë me dije se “ky ligj do të përdoret si një pengesë për t’i dhënë fund refuzimit të vaksinimit”.

“Duhet të ketë disa masa të jashtëzakonshme për të siguruar që ky virus të çrrënjoset nga Pakistani”.

“Ka shumë arsye që ky virus ende mbetet endemik në vendin tonë dhe ne duhet të adresojmë të gjitha këto arsye”.

Referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Pakistani dhe Afganistani janë të vetmet vende ku poliomieliti është endemik.

Deri më tani këtë vit, Pakistani ka regjistruar dy raste të poliomielitit të egër, krahasuar me 20 në vitin 2022.

Megjithatë, më shumë se 62 mijë prindër, shumica e tyre në provincën Sindh, refuzuan vaksinimet ndaj poliomielitit për fëmijët e tyre gjatë fushatës mbarëkombëtare të vaksinimit kundër poliomielitit në janar të këtij viti.

Ndjenja kundër vaksinimit në Pakistan është e rrënjosur thellë.

Klerikët kanë përhapur mite se vaksinat janë një komplot perëndimor për të sterilizuar fëmijët myslimanë.

Në disa zona, vaksinuesit, të cilët zakonisht janë gra, duhet të shoqërohen nga roje sigurie për sigurinë e tyre. Disa punonjës shëndetësorë janë vrarë.

Në vitin 2015, autoritetet në qytetin verior të Peshawarit arrestuan 471 prindër për “rrezikim të sigurisë publike” duke refuzuar vaksinat, por i liruan në të njëjtën ditë.

Gjatë pandemisë, punonjësve të qeverisë Sindh që refuzuan të vaksinohen kundër virusit iu zbrit paga e një muaji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore