Jetesë & Stil

Princesha Charlene rikthehet në Francë pas gjashtë muajsh “izolimi” në Afrikë


Princesha Charlene gjatë qëndrimit në Afrikën e Jugut

Princesha e Monakos, bashkëshortja e Princit Albert, Charlene është kthyer në shtëpi tek familja mas më shumë se gjashtë muajsh qëndrimi në Afrikën e Jugut, duke i shuar kështu përfundimisht spekulimet e qarkulluara në mediat rozë për “zhdukjen” e saj të papritur dhe të zgjatur nga Monako.

Burime të sigurta pranë prestigjiozes “People”, tregojnë se princesha, 43 vjeçe, mbërriti në Francë me avion privat pas një fluturimi gjatë nga Durbani i Afrikës Jugore.

Tutje, thuhet se ajo u ribashkua me bashkëshortin, Princ Albert dhe binjakët e tyre 6-vjeçarë, Princin Jacques dhe Princeshën Gabriella – të cilët e përshëndetën me një buqetë të madhe me lule para se të gjithë të shkonin me helikopter në Monako.

Princesha Charlene, Princi Albert dhe fëmijët e tyre.

Princesha kishte mbetur në Afrikë që nga fillimi i muajit maj për shkak të një infeksioni ORL, i cili bëri të nevojshme një sërë operacionesh korrigjuese gjatë mungesës së saj gjashtëmujore.

Ndarja e zgjatur ishte subjekt i akuzave të shumta tabloidesh në lidhje me problemet në martesën e çiftit.

Në muajin tetor, Princi Albert, kishte thënë se Princesha kishte përfunduar operacionet e saj dhe “ishte në formë të mirë dhe shpirt shumë më të mirë” dhe do të kthehej “shumë shpejt” në Monako.

Në një intervistë për “PEOPLE”, përpara se ai të nisej për në samitin mjedisor “COP26” në Glasgow, të Skocisë, Princi tha se ai po priste vetëm lejen përfundimtare nga ekipi mjekësor i Charlene përpara se të “dërgonte avionin”.

Gjithashtu në tetor, Charlene tha në një intervistë se mezi priste të shihte fëmijët e saj. Duke folur para “operacionit përfundimtar”, ajo shpjegoi se shëndeti i saj po vazhdonte të përmirësohej.

Princesha Charlene gjatë qëndrimit në Afrikën e Jugut

“Unë erdha në Afrikën e Jugut për të mbikëqyrur disa projekte fondacioni,” tha ajo.

“Nuk isha mirë në atë kohë. Kisha një infeksion i cili u trajtua menjëherë. Fatkeqësisht, u bllokova për disa muaj këtu në Afrikën e Jugut”, përfundoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore