Shqipëria

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon 16 hetuesit e BKH-së: Vijojmë mbështetjen për fuqizimin e kapaciteteve hetimore


Prezenca e OSBE-së në Shqipëri të martën e 21 qershorit ka përmbyllur një program trajnimi tre-ditor për 16 hetuesit e porsapërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.

Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional.

Në njoftimin e OSBE-së theksohej se trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, përvojat më të mira rajonale në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale.

Po ashtu, sipas OSBE-së modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale Austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal”, vijonte njoftimi.

Sakaq ajo e mbyll me mesazhin: “Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore