Shqipëria

Pretendimi se kam marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është jo logjik, thotë Sadushi


Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë, ka reaguar pas komenteve të ditëve të fundit në drejtim të tij.

E gjitha lidhet me shfaqjen e tij në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, në të cilën ishin prezentë edhe eksponoentë të Partisë Socialiste.

“Ka disa ditë që zëra publikë kanë shpërndarë në opinion fakte dhe qëndrime, të cilat janë larg së vërtetës në formulim, të njëanshme në shpjegim dhe të pasakta në interpretim, se Kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në një veprimtari që është e papajtueshme me funksionin e tij, si gjyqtar”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë me dije se tri njësi administrative, bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës, në datën 20 janar 2024, “organizuan në mënyrë të përbashkët një veprimtari në kujtim dhe nderim të 80 vjetorit të krijimit të Brigadës së Pestë, një nga formacionet më të njohura luftarake shqiptare, pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, që ka kontribuar në çlirimin e vendit dhe ka luftuar në Kosovë e deri në Sanxhak të Bosnjë-Hercegovinës”.

“Në këtë aktivitet jam ftuar mes qindra të tjerëve, me cilësinë e pjesëtarit të familjes së një prej themeluesve të kësaj brigade, babait tim Maliq Sadushi”, ka treguar ai.

Sipas tij, pretendimi se kryetari i Gjykatës së Lartë ka marrë pjesë në veprimtari të papajtueshme me funksionin e gjyqtarit është i gabuar dhe jo logjik.

“Pjesëmarrja në një veprimtari përkujtimore të Luftës Antifashiste, e cila nderohet sot në të gjithë botën demokratike, nuk cilësohet si angazhim në një aktivitet politik, e aq më pak të identifikueshëm me një parti të caktuar politike në Shqipëri”, ka vijuar ai.

Po ashtu ka shtuar se ndjehet “plotësisht i përgjegjshëm dhe i përkushtuar ndaj detyrimeve të mia si gjyqtar dhe si qytetar, pjesë e të cilave është dhe mirënjohja për sakrificat që populli shqiptar bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore