Shqipëria

“Presidenti nuk jep llogari para asnjë ambasade, por vetëm para Kuvendit dhe popullit shqiptar”


“Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit dhe popullit shqiptar”.

Kështu është shprehur zëdhënësi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi, në një prononcim për mediat të premten e 19 nëntorit, për sa i përket lajmit që ka qarkulluar mëngjesin e kësaj dite se “Meta po provokon Greqinë”.

“Provokuese! Ilir Meta u orientua në një ekspozitë, ku u prezantuan foto dhe harta me objekte të të ashtuquajturit ‘gjenocidi i çamëve’ edhe ‘pushtimi i territoreve shqiptare nga Greqia’”.

Ambasada greke në Tiranë.

Kështu shkruhej në faqen e parë të medias greke “Protothema” për sa i përket ekspozitës kushtuar Çamërisë, e zhvilluar në ambientet e jashtme të Institucionit të Presidencës së Shqipërisë.

Më tej Blushi ka sqaruar se Meta ka qenë i ftuar më 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Sipas Zëdhënësit ai ka theksuar se Presidenti e ka pranuar ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, “pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara”.

“Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë – e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës – për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme”.

Në përfundim Blushi ka ritheksuar se, “Meta – siç dihet botërisht – ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan”.

“Konkretisht”, theksohej nga media greke se, “sipas burimeve diplomatike, ambasada greke në Tiranë ka zhvilluar një protestë të fortë dhe ka kërkuar menjëherë shpjegime nga zyra e presidentit shqiptar Ilir Meta lidhur me raportin në fjalë”.

“Protothema” po ashtu publikoi disa foto nga “ekspozita provokuese”, ku i pranishëm ishte dhe vetë Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore