Shqipëria

Presidenca e Turqisë konfirmon diskutimet me Ramën për “çështjet rajonale”


Presidenca e Turqisë ka konfirmuar mesditën e 12 korrikut se mes presidentit Erdogan dhe kryeministrit Rama është diskutuar edhe për çështjet rajonale të Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti Erdogan u takua me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në margjinat e Samitit të NATO-s në Vilnius. Gjatë takimit u diskutuan lidhjet ekonomike dhe tregtare midis Turqisë dhe Shqipërisë si dhe çështjet rajonale”, shkruhet në faqen zyrtare të Presidencës turke në Twitter.

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në Qendrën e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze (LITEXPO), vendi i takimit dy-ditor të NATO-s që filloi të martën.

Të dy krerët diskutuan për çështje dypalëshe dhe rajonale, ku Rama theksoi se u fol veçanërisht për Veriun e Kosovës.

Edhe pse situata e tensionuar në veriun e Kosovës nuk pritej të ishte në agjendën zyrtare të samitit dyditor në Vilnius, u diskutua rëndësia e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, një gjë të tillë e pohoi kryeministri shqiptar gjatë Forumit Publik të NATO-s në bashkëbisedimin me Rachel Rizzo, anëtare e lartë jorezidente në Këshillin Atlantik.

Kreu i Qeverisë konfirmoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara e preku problemin e sigurisë së Ballkanit Perëndimor gjatë fjalimit të tij në Këshillin e NATO-s.

“Më ngushëllon fakti që Presidenti Biden në fjalimin e tij në Këshill e preku këtë pikë, sepse problemi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor në ditët e sotme mund të mos jetë në të njëjtën përmasa me problemin e madh të Ukrainës, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si i parëndësishëm”, tha fillimisht Rama.

Sipas, kreut të Qeverisë, ajo që po ndodh është vërtet shqetësuese, posaçërisht kohët e fundit, “ku veriu i Kosovës është bërë një pikë shumë e nxehtë dhe kërcënimi i konfliktit bëhet gjithnjë e më i dukshëm”.

“Përderisa dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka të bëjë me dy palët, Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që lidhet me krijimin e grupeve ekstreme në veri të Kosovës”, shtoi ai.

Kryeqeveritari u takua gjithashtu me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s në Vilnius për të folur mbi situatën në Veriun e Kosovës.

“Me delegacionin e Senatorëve Amerikanë në Samitin e NATO-s, në një takim të kërkuar prej tyre nisur nga shqetësimi për situatën në Veriun e Kosovës dhe qasjen jo-konstruktive të palëve, e cila ka çuar në një përshkallëzim të rrezikshëm që duhet ndalur një orë e më parë, për t’u kthyer në tryezën e Dialogut duke finalizuar Marrëveshjen e Normalizimit”, shkruan ai.

Në këtë takim morën pjesë dhe kryediplomatja Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe drejtuesja e Shërbimit Informativ (SHISH), Vlora Hyseni.

Situata e tensionuar në veriun e Kosovës u përfshi në samitin e NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore