Kosova

Pozita e shqiptarëve në Serbi do të ngritet edhe në Parlamentin Evropian


Parlamenti Evropian

Koordinatorija e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Qeverinë e Kosovës, Ardita Sinani, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka njoftuar se çështja e shqiptarëve në Serbi do të ngritet edhe në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës.

Ajo njoftoi se nga nesër (e hënë, 12 qershor), së bashku me anëtarët tjerë të delegacionit nga Lugina e Preshevës, do të jenë në vizitë tre ditore në Bruksel për të ngritur problematikën e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Për tre ditë në Bruksel do të zhvillojmë 12 takime me udhëheqësit më të lartë të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian. Pozita e vështirë e pakicës shqiptare në Serbi dhe diskriminimi konsistent do të jenë thelbi dhe tema kryesore e këtyre takimeve jashtëzakonisht të rëndësishme”, shkroi Sinani.

“Kushtëzimi i rrugëtimit të Serbisë në integrimet evropiane do të duhej të kushtëzohej me realizimin dhe plotësimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi në përgjithësi, e në veçanti në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc”, shtoi ndër të tjera ajo.

Sinani ndër të tjera nënvizoi se zgjidhja afatgjate e çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte implementimi i reciprocitetit në të drejta të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Pas ngritjes së problematikës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kongresin e Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pozita e shqiptarëve në Serbi do të ngritet edhe në Parlamentin Evropian.

Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ka aprovuar kërkesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për përkrahje financiare në vlerë 39 mijë e 470 dollarë amerikan.

“Dëgjimi në Senat i dha vulë apostile zyrtarizmit të çështjes së Luginës së Preshevës”, Mustafi e Bislimi flasin për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore