Lajme

Politikanët kosovarë urojnë xhudisten Majlinda Kelmendi pas pensionimit


Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se “në mbi 20 vjet të karrierës së saj, xhudistja Majlinda Kelmendi, i solli krenari, emocione e lot gëzimi familjes, shoqërisë, qytetit, shtetit e gjithë kombit të saj”.

“Jam jashtëzakonisht krenar që si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit kam pasur mundësinë të punoj nga afër me Federatën e Xhudos së Kosovës. Së bashku kemi krijuar kushte që vlerësojnë kampionët dhe ua mundësojnë atyre garimin nën flamurin e shtetit tonë”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Ai thotë se Kosova ka valuar flamurin e saj nëpër qendrat më të mëdha botërore për vite me radhë, përkrah, e shumë herë edhe mbi flamujt e shteteve më të fuqishme, falë punës së Majlindës dhe mjeshtrit Toni Kuka.

“Të uroj shumë fat në karrierën tënde të re, si trajnere e xhudos, e së bashku me Tonin presim edhe shumë kampionë nga duart tuaja. Për ne, do të mbetesh gjithmonë e arta e jonë e parë Olimpike, ambasadorja më e suksesshme e shtetit tonë dhe frymëzimi i brezave të rinj të sportisteve e të sportistëve. Faleminderit, kampione”.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhëmrin e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Majlinda është çikë e artë dhe mbretëreshë e xhudos.

“Ajo na solli lajme të mira e na dhuroi shumë çaste krenarie. Lartësoi e i dha ngjyra flamurit tonë. U bë inspirim, nder dhe krenari e shqiptarëve. Ajo është çika jonë e artë. Mbretëresha e Xhudos. Majlinda Kelmendi që sot përmbylli karrierën e saj si garuese, do të mbetet përgjithmonë heroina jonë”, ka shkruar në Facebook Haradinaj.

“Fitoret e saja do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata të tëra të sportistëve shqiptarë. Fat e suksese të mëtejshme Majlinda”, ka shkruar Haradinaj.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, u dekurua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me urdhrin “Shote Galica”.

Në fjalimin e saj, Osmani ka thënë se “Kelmendi me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos”.

“Me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfare e duam. Flamuri kaltër e verdhë valojë majave karshi flamujve të shteteve më të mëdha anekënd globit fal Majlindës”, tha Osmani.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore