Lajme

Politico: Whiting braktis Specialen, i bashkohet ekipit të Smith në SHBA


Jack Smith dhe Alex Whiting

Alex Whiting, i cili në nëntor të vitit të kaluar zëvendësoi ish-kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale në Hagë, Jack Smith-in, duke se po e ndjek rrugën e këtij të fundit.

Smith, i cili po hetonte ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale, ishte liruar nga detyra e kryeprokurorit të specializuar, për të marrë një detyrë të re, atë të Këshilltarit Special nga Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Merrick Garland, për të mbikëqyrur hetimet penale ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

E të njëjtën rrugë po ndjek edhe zëvendësuesi i tij në Gjykatën Speciale, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Whiting.

Siç po raporton mediumi prestigjioz amerikan, Politico, Whiting tashmë i është bashkuar ekipit të Smith-in në gjyqin që pritet të shpalohet në Florida ndaj ish-presidentit Trump.

Roli i saktë i Whiting në ekipin e Smith ende është i paqartë, pohon Politico.

Për këtë çështje zëdhënësi i Smith nuk është deklaruar.

Ndërsa Whiting nuk ka kthyer përgjigje mediumit amerikan në lidhje me angazhimin e tij në ekipin e Smith në gjyqin kundër Trump.

I rrodhën dokumente, fshehu provat dhe tejkaloi afatet – për çfarë do mbahet mend Jack Smith në Speciale

Por, kush është Alex Whiting?

Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvëndës Prokuror i Specializuar.

Whiting ka ardhur në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku ka punuar si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013.

Midis vitit 2010 dhe 2013, Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku kapunuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale. Përpara se të bëhej pjesë e GJPN-së, Whiting ka dhënë mësim për tre vite si ndihmës profesor juridik i praktikës në Fakultetin Juridik të Harvardit.

Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish- Jugosllavinë ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiç dhe Dragomir Millosheviç.

Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çështjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqëndruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Whiting është i diplomuar nga Yale College dhe nga Yale School Law.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore