Lajme

Policia malajziane arreston agjentët e Mossad-it të cilët kishin rrëmbyer një palestinez


Autoritetet malajziane thuhet se kanë liruar një palestinez i cili dyshohet se ishte rrëmbyer dhe marrë në pyetje nga agjentët e Mossad-it në Kuala Lumpur, raportuan të hënën Al Jazeera Arabic dhe New Strait Times.

Sipas raportimeve, burri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, është nga Rripi i Gazës dhe u rrëmbye mbrëmjen e 28 shtatorit nga shtetas malajzianë.

Këta të fundit, ishin rekrutuar dhe trajnuar nga agjencia e inteligjencës izraelite në Evropë.

Një palestinez i dytë, i cili shoqërohej me objektivin e dyshuar të rrëmbimit, njoftoi policinë lokale.

Të dy burrat raportohet se janë ekspertë të programimit kompjuterik.

Al Jazeera thotë se Izraeli akuzoi palestinezin e rrëmbyer se kishte lidhje me krahun e armatosur të Hamas-it.

Kjo, duke shtuar se ai po merrej në pyetje nga oficerët e Mossad-it përmes videove në Tel Aviv kur autoritetet malajziane bastisën shtëpinë në të cilën po mbahej.

Të paktën dy shtetas malajzianë po mbahen nga policia, shtojnë raportet.

Më 21 prill të vitit 2018, Fadi Mohamed al-Batsh, 35 vjeç, një inxhinier palestinez dhe anëtar i Hamas-it, u vra jashtë një xhamie në Kuala Lumpur.

Qeveria e Malajzisë tha se “agjentë të huaj” ishin përgjegjës për vrasjen, ndërsa familja e al-Batsh akuzoi Mossad-in se qëndronte pas vrasjes së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore