Shqipëria

Policia kontrollon banesën e ish-deputetit Rraja, në kërkim djali dhe vëllai i tij


Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle gjatë ditëve të fundit në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Qëllimi i kontrollit policor ishte gjetja e djalit dhe vëllait të Rrahman Rrajës, të cilët janë në kërkim për dhunën ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja.

Pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit të deputetit, policia bëri kontroll me vendim gjykate.

Brenda banesës së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, por as personat e shpallur në kërkim.

Bëhet fjalët për: Rexhep Rrajën, Flamur Rraja, Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.

Në vijim, policia ka kryer edhe kontrolle të tjera për arrestimin e tyre, por asnjëri nuk është lokalizuar.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri me dije në takimin me drejtues të policisë se kërkesa e tij e parë ka qenë arrestimi i vëllait dhe djalit të ish-deputetit të Fushë Krujës.

Autoritetet firmosën gjithashtu të hënën e 17 korrikut ndryshimet për strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Krujë do të jetë Komisar Kreshnik Alimadhi duke zëvendësuar në këtë detyrë Komisar Elton Shahinin.

Zëvendës shefi i Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë do të jetë Nënkomisar Sadik Topuzi duke zëvendësuar në këtë detyrë Nënkomisar Ajet Began.

Shefi i Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme do të jetë Nënkomisar Dashamir Ilamaj duke zëvendësuar në këtë detyrë nënkomisar Anri Nazajn.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka vendosur gjithashtu transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.

Sipas njoftimit, këto ndryshime nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së dhunshme më 6 korrik, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2023.

Ndërtimi i situatës

Gjykata e Tiranës caktoi më herët masën “Arrest në burg” për tre nga të ndaluarit për ngjarjen e dhunshme të regjistruar të enjten e 6 korrikut në Krujë.

Bëhet fjalë për shtetasit: Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Andi Rraja. Ndaj pronarit të lokalit Kujtim Përdaku është dhënë masa ‘Detyrim Paraqitje’ për moskallëzim krimi.

Katër personat e arrestuar dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja në Krujë.

Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi tre ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, vijoi me reagime të forta nga institucionet shtetërore.

Dy të dhunuarit ishin ankuar se shtëpitë e tyre po dëmtoheshin nga një gurore aty pranë në pronësi të fisit Rraja, konkretisht Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme, pasi në dhunën e shkaktuar ishin të përfshirë djali dhe dy vëllezërit e tij – të cilët nga Policia e Shtetit janë quajtur dhe organizatorë të ngjarjes.

Ai u ka kërkuar ndjesë atyre që i kanë dhënë voton prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ndërkaq, Policia e Shtetit nuk është ndalur me aq, pasi ka rinovuar tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.

Po ashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, është tashmë drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Nga zhvillimet e fundit e pësoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u shkarkua nga kreu i Qeverisë, Edi Rama.

Postin e tij e mori zyrtarisht ish-kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore