Lajme

Policia kërkon nga MPB-ja ta zgjasë edhe për 15 ditë afatin për konvertimin e targave ilegale


Foto nga konvertimi i targave ilegale në RKS në Veri.

Pasi që të premten e 1 dhjetorit, skadon afati për regjistrimin e veturave të cilat kanë targa ilegale nga Policia e Kosovës, është bërë kërkesë që të shtyhet afati edhe për 15 ditë që ua mundëson qytetarëve konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS.

Lajmin për Albanian Post e ka bërë të ditur drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

“Duke parë situatën si është këtu, interesimin e madh të qytetarëve, kontrolleve teknike që po na dalin, ne si polici e kemi bërë një kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme, që të vazhdohet edhe për 15 ditë”, tha ai.

Elshani, sqaroi se në rast se nuk pranohet kjo kërkesë e tyre, vendimi do të zbatohet.

“Në rast se nuk kemi ndonjë vendim tjetër për vazhdimin e regjistrimit, nesër ne do të fillojmë me zbatimin e ligjit të trafikut”.

“Në momentin që shohim një veturë me targa ilegale, ne i japim një tiketë dhe i marrim targat, dokumentet, dhe i themi që ‘hiqe kerrin dërgoje në shtëpi”.

Në ditën e fundit kur përfundon afati për konvertimin e targave nga ato ilegale në RKS, rreth 3 mijë vetura janë regjistruar.

Pas një refuzimi kategorik për të zbatuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato shtetërore, gjë për të cilën pati edhe përkeqësim të situatës në terren, serbët e Kosovës në ditët e fundit kishin krijuar kolona të gjata para Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve për t’i ri-regjistruar makinat e tyre me targa që përmbajnë siglën e shtetit të Kosovës.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, nisi zbatimin e vendimit për largimin e targave ilegale në Veri të Kosovës.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, serbët në Veri të Kosovës vendosën barrikada.

Ngërçi në terren u zgjidh në tryezën e bisedimeve në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ilustrim.

Në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës, mori vendim për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM, PR, GL e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për ri-regjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Kosova e interpretoi këtë hap të Serbisë si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në Veri që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore