Lajme

Policia britanike akuzon rusin e tretë për helmimin e ish-spiunit


Policia britanike tha të martën se ka ngritur akuza mbi një rus – i treti – si i dyshuar për sulmin me agjent nervor në vitin 2018 ndaj një ish-agjenti rus.

Scotland Yard deklaroi, përmes shkresës zyrtare, se prokurorët besojnë se gjenden prova të mjaftueshme për të akuzuar një person të njohur si Sergey Fedotov.

Ai akuzohet për komplot për vrasje, vrasje në tentativë, posedim dhe përdorim të një arme kimike dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij, Julia, u vunë në shënjestër pas një sulmi me agjentë nervorë në mars të vitit 2018 në Salisbury.

Për autoritetet britanike, atentati me siguri ishte miratuar “nga rangjet e larta të shtetit rus”. Moska zyrtare i ka mohuar ashpër akuzat.

Të dy anëtarët e familjes Skripal mbijetuan, por më vonë sulmi mori jetën e një britanikeje dhe la pasoja të rënda te një burrë.

Ndërtimi i situatës

Më herët, policia akuzoi dy agjentë të tjerë të inteligjencës ushtarake ruse, të njohur me pseudonimet e tyre Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov.

Sipas hetimeve, thuhet se ata udhëtuan në Britaninë e Madhe për operacionin e helmimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pohuar se të dyshuarit ishin civilë dhe dolën në televizionin rus me pretendimin se kishin ardhur në Salisbury si turistë.

Policia zbuloi se i dyshuari i tretë, “Sergey Fedotov” është një pseudonim për Denis Sergeev, anëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse të njohur si GRU.

Për të tre burrat janë lëshuar urdhër-arrest.

Denis Sergeev, anëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, të njohur si GRU

Policia tha se tre të dyshuarit kishin punuar më parë së bashku për GRU-në “si pjesë e operacioneve jashtë Rusisë”.

Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse, u bë agjent i dyfishtë për Britaninë dhe vajza e tij Julia, e cila po e vizitonte, kaluan disa javë në gjendje kritike pas sulmit.

Sergei Skripal

Tre muaj më vonë, dy banorë lokalë që, me sa duket hasën në një shishkë të hedhur që përmbante agjentin nervor, u sëmurën. Njëri u shërua, por gruaja britanike vdiq.

Rasti ndezi një konfrontim diplomatik, në të cilin qindra të dërguar u dëbuan nga Rusia dhe kombet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore