Shqipëria

Policia bllokon aktivitetin e gurores “Delia Group” pas ngjarjes së rëndë në Krujë


Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi tre ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, ku një grup personash dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja vijon me reagime të forta nga institucionet shtetërore.

Autoritetet kanë vendosur të bllokojnë aktivitetin e gurores “Delia Group”, me administrator shtetasin V. D., me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.

Në këtë inspektim kanë marrë pjesë Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

“Pas këqyrjes së sipërfaqjes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN-së dhe AKSEM-it. Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje”, njoftoi Policia.

Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

Dy të dhunuarit ishin ankuar se shtëpitë e tyre po dëmtoheshin nga një gurore aty pranë në pronësi të fisit Rraja, konkretisht Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme, pasi në dhunën e shkaktuar ishin të përfshirë djali dhe dy vëllezërit e tij – të cilët nga Policia e Shtetit janë quajtur dhe organizatorë të ngjarjes.

Ai u ka kërkuar ndjesë atyre që i kanë dhënë voton prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.

Ndërkaq, Policia e Shtetit nuk është ndalur me aq.

Ajo ka rinovuar tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.

Po ashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, është tashmë drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Nga zhvillimet e fundit e pësoi edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u shkarkua nga kreu i Qeverisë, Edi Rama.

Postin e tij, sipas propozimit të kryeministrit, pritet ta marrë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore