Sport

Policia apel tifozëve për respektimin e rregullave në ndeshjen Shqipëri-Çeki


Policia e Shtetit ka rikujtuar se ditën e nesërme të ndeshjes Shqipëri-Çeki, tifozët dhe sportdashësit duhet të zbatojnë rregullat.

Duhet të zbatohen me rigorozitet ligjet e shtetit shqiptar, rregullat kombëtare, ato ndërkombëtare dhe udhëzimet e autoriteteve, për pjesëmarrjen në aktivitete sportive.

Sipas Policisë, ndalohet futja në stadiumin “Air Albania” e flakadanëve, lëndëve piroteknike, sendeve të forta dhe metalike, monedhave, sendeve/produkteve për përdorim kozmetik dhe banderolave me përmbajtje raciste ose diskriminuese.

Po ashtu ndalohet mbulimi i fytyrës që bën të pamundur identifikimin e tifozit/es.

Sakaq, thyerja e ulëseve apo e pajisjeve të tjera në stadium, dëmtimi i pronës private në lokale apo në ambiente të tjera ku do të ndiqet ndeshja, si dhe prishja e qetësisë publike në sheshe apo në rrugë, janë vepra penale.

Dhe se shtetasit që do t’i kryejnë këto veprime, do të përballen me sanksionet penale, konform ligjeve në fuqi.

Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv me përmasa ndërkombëtare, ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’iu ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje.

Ndërkaq, Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për respektimin e masave kufizuese për qarkullimin e automjeteve dhe të masave për hyrjen dhe qëndrimin në stadium, në mënyrë që ky aktivitet të mbyllet pa incidente.

Policia e Shtetit publikon masat për ndeshjen Shqipëri – Çeki

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore