Lajme

Polica dërgon autoblindat në Jarinjë: Kemi informacion se mund të mbahen protesta


Policia e Kosovës.

Në pikën kufitare me Serbinë, në Jarinjë, janë nisur automjete të blinduara të Policisë së Kosovës.

Kjo për arsyeje se policia ka pranuar informacion se dikush nga Serbia mund të hyjë gjatë ditës së sotme.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai gjatë bisedës për AP ka thënë se janë paralajmëruar protesta dhe për arsye të sigurisë policia ka dërguar trupat e vet atje.

“Është njëfarë informate që do të vijë dikush prej Serbisë dhe policët tanë janë atje pasi mund të mbahen protesta ose ndonjë gjë e ngjashme”.

“Për shkaqe sigurie i kemi dërguar ata atje”, ka thënë Elshani.

Disa grupe të ndryshme të motoçiklistëve nga Serbia janë mbledhur, të premten, në Beograd para Kuvendit të Serbisë dhe qëllimi i tyre, siç raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo-Online, është arritja në Kosovë për të mbështetur serbët lokalë, pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovë.

“Pavarësisht situatës komplekse politike dhe tensioneve në Kosovë, motoçiklistët planifikojnë të arrijnë në Komunën e Leposaviqit dhe të Zveçanit përmes pikë kalimit kufitar në Jarinjë për të përfunduar më pas udhëtimin e tyre në Mitrovicë të Veriut me qëllim të tregojnë qëllimet e tyre të mira dhe të dërgojnë një imazh pozitiv për Kosovën dhe popullit serb”.

Tensionet u kthyen sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore