Lajme

PKK-ja demonstrata në rrugët e Romës, Turqia thërret ambasadorin italian


Ministria e Jashtme turke thirri ambasadorin italian në Ankara, Giorgio Marrapodi, më 6 qershor.

Kjo lidhur me demonstratat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Romë.

“Ambasadori italian në Ankara, Giorgio Marrapodi, u ftua sot në Ministri. Kjo për t’i shprehur pakënaqësitë lidhur me demonstratën e PKK-së në Romë më 4 qershor 2022, gjatë së cilës simbolet e PKK-së dhe fotografitë e liderit të saj u shfaqën publikisht”.

Në takim, Ankaraja përsëriti kërkesën e saj ndaj Qeverisë italiane për të parandaluar akte të tilla të organizatës terroriste dhe mbështetësve të saj.

Sipas Ministrisë turke, demonstrata përfshinte simbole të grupit të jashtëligjshëm terrorist dhe fotografi të liderit të dënuar terrorist të këtij grupi, Abdullah Ocalan, pavarësisht protestave të mëparshme nga ambasada turke në Romë.

Cilët janë rebelët e PKK-së?

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është një organizatë e armatosur terroriste.

Ajo cilësohet si e këtillë nga shumë vende, duke përfshirë anëtarët e Bashkimit Evropian (BE) dhe të tjerë si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.

Bashkimi Evropian e përcaktoi PKK-në si një entitet terrorist në 2004. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) gjithashtu i referohet PKK-së si një entitet terrorist.

E themeluar në vitin 1974 dhe duke marrë funksione paraushtarake në 1984, PKK-ja marksiste-leniniste dhe separatiste ka përdorur dhunë dhe terrorizëm në ndjekje të shkëputjes kurde nga Republika e Turqisë.

Veprimet dhe taktikat terroriste të PKK-së kanë çuar në dhjetëra mijëra vdekje ushtarake dhe civile gjatë dekadave të fundit, duke penguar stabilitetin e qëndrueshëm në Turqinë Juglindore.

Turqia Juglindore është përfshirë nga dhuna që prej rënies së armëpushimit me PKK-në në korrik të vitit 2015.

Financimi i PKK-së bazohet në burime të ndryshme. Ndër to edhe trafikimi i lëndëve narkotike. Në një numër vendesh evropiane ka hetime të vazhdueshme dhe çështje gjyqësore në lidhje me financimin e tyre.

Objektivat kryesore të PKK-së përfshijnë asetet policore, ushtarake, ekonomike dhe sociale në Turqi. Gjithashtu sulmon civilët dhe objektet diplomatike dhe konsullore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore