Lajme

Pjestarët e FSK-së kryen aktivitete të përbashkëta ushtarake më Gradën Kombëtare të Iowa-s


Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kryer aktivitete të përbashkëta ushtarake me Gradën Kombëtare të Iowa-s.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të FSK-së në Facebook.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowa, ishte pjesë në Ditën e Vizitoreve të Shquar (Distinguished Visitors Day) e JRTC (Joint Readiness Training Center) Training Rotation, Fort Johnson, Louisiana, ShBA, ku pjesë e njësive të Gardës Kombëtare të Iowa-s, ishin edhe gjashtë pjesëtar të Regjimentit të parë të Forcave Tokësore (R1K), të cilët ndanë përvojat  e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm të Ushtrisë Amerikane”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, R1K është i binjakëzuar me Batalionin 133 të Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Iowa-a, që nga viti 2022 dhe deri me tani janë realizuar aktivitete të ndryshme ushtarake në të dyja vendet dhe ky ishte aktiviteti i radhës i cili thelloi edhe me tej bashkëpunimin ndërmjet dy njësive, e që do të vazhdoi me trajnime e aktivitetet tjera në të ardhmen.

Ndryshe, më 19 korrik, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pati përshëndetur projektligjin e Senatit Amerikan, i cili parasheh bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën ushtarake.

Sipas Mehajt, me këtë projektligj Forca e Sigurisë së Kosovës së bashku do të angazhohet në trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA-të.

“Ngritja e kapaciteteve tona, shkollimi, trajnimet, misionet dhe operacionet ushtarake, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen gjithnjë në bashkëpunim dhe me mbështetje SHBA-të si partneri ynë strategjik”, kishte njoftuar Mehaj.

Kosova ishte nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që pritej të mbahej nga 2 qershori, para se të përjashtohej nga ShBA-ja më 30 maj.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë stërvitje ushtarake për herë të parë ishte bërë në vitin 2021, ndërsa rëndësia e kësaj stërvitje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), është e shumëfishtë e njëra ndër to është edhe ndërtimi i mëtejmë i besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore