Shqipëria

Pezullohet polici i cili dhunoi qytetarin në Pogradec


Autoritetet shqiptare kanë pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë Gjergji Riza pas bërjes publike të imazheve teksa dhunonte në korridorin e një pallati një qytetar.

Riza, sipas njoftimit zyrtar, ishte nënkomisar me detyrë specialist në Sektorin e Analizës Strategjike, Planifikimit, Monitorimit dhe Vlerësimit, në DVP Korçë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor, për këtë punonjës policie, për shkelje të rëndë, vëren reagimi.

Ngjarja ka ndodhur në korridorin e një pallati, në Pogradec, gjatë muajit janar të këtij viti, për shkak se shtetasi i dhunuar K. N. dyshohej se më datë 22 janar, gjatë natës, kishte tentuar të digjte klinikën e bashkëshortes së Rizës.

Kundravajtësi u arrestua nga policia më 7 shkurt në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Pasagjeri”, për veprimtarinë kriminale të shitjes së drogave të forta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore