Lajme

Petrópolis: Moti i keq pezullon kërkimin nga ekipet e emergjencës


Në qytetin brazilian të Petrópolis-it, moti i keq ka penguar kërkimin për të mbijetuarit, katër ditë pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Të shtunën e 19 shkurtit, ekipet e emergjencës u detyruan të pezullonin disa herë punën e tyre për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.

Sipas tyre, ka pak shpresë për të gjetur dikë të gjallë.

Kurse zyrtarët kanë treguar se kanë ndërruar jetë 146 persona, duke përfshirë të paktën 27 fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa 191 janë ende të zhdukur.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se më shumë se 900 njerëz janë strehuar në shkolla dhe strehimore.

Ekipet kanë gërmuar me lopata nëpër rrënoja dhe baltë në një mjegull të dendur. Gjithashtu në përpjekjen e tyre po japin një ndihmë edhe vullnetarët.

Sakaq, kërkimet po kryhen me mjete dore dhe sharrë elektrike në zona të paqëndrueshme, ku skuadrat janë ndihmuar nga 41 qen nuhatës.

“Është e pamundur të sjellësh makineri të rënda këtu lart”, ka treguar Roberto Amaral, koordinator i grupit special të shpëtimit.

“Kështu që, në thelb duhet të punojmë si milingona, duke shkuar pak nga pak”, ka vijuar ai.

Në një nga lagjet më të goditura, deri në 80 shtëpi në një kodër u prekën nga rrëshqitjet e dheut.

Reshjet e së martës tejkaluan mesataren për të gjithë shkurtin, duke shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje në qytet, një vendstrehim popullor turistik në veri të Rio de Zhaneiro-s.

Për presidentin Jair Bolsonaro, qyteti po vuante nga “shkatërrim i madh, si skenë lufte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore