Lajme

Petritsch skeptik për të ardhmen e dialogut: Procesi do të ndikohet nga zgjedhjet në Serbi


Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch.

Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, është shprehur skeptik se do të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi gjatë vitit 2024.

Sipas diplomatit austriak zgjedhjet në Serbi dhe zgjedhjet e rregullta gjatë vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se s’do të ketë përparim konkret në dialog, konkretisht në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Për të, viti i ardhshëm më shumë do të fokusohet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve dhe në tërësi rajonit.

“Unë jam shumë skeptik për momentin. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se në Serbi ka zgjedhje, zgjedhjet janë pothuajse kohë të kontestimeve të forta dhe shkeljes së rregullave themelore demokratike”, ka thënë ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press.

Diplomati austriak, ndër të tjera, ka thënë se duhet përshëndetur shtimi i forcave të NATO-s në Kosovë, për të parandaluar, siç thotë ai, incidente sikur ai i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, agresion të cilin institucionet e Kosovës e quajnë terrorist dhe të sponsorizuar nga Serbia.

“Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj e mirëpres shumë forcimin e forcave ndërkombëtare atje. Ne duhet të sigurojmë një mjedis të sigurt për njerëzit, për qytetarët dhe ne kemi nevojë që të dyja palët të jenë të vendosura se çfarë po bëjnë politikisht dhe si po frenohen atje ekstremistët. Fatkeqësisht ne kemi parë një përplasje ekstremiste në shtator të këtij viti, kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë, dhe mendoj se KFOR-i tani është në gatishmëri dhe do të parandalojë çdo incident të tillë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore