Lajme

Përfundon epoka e Gjukanoviç-it në Mal të Zi – Cili është ndikimi i rezultateve të zgjedhjeve në rajon?


Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç

Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Milo Gjukanoviç, ka marrë rreth 39.8 për qind, sipas rezultateve të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).

Udhëheqësi më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë do të zëvendësohet në krye të shtetit malazez nga tridhjetë e shtatë (37) vjeçari, Jakov Milatoviç, një ekonomist i ri që ishte veç pesë vjeç kur Gjukanoviç dhe Partia Socialiste e Demokratëve (DPS) erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1991.

“Sonte është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet, kjo është fitorja e Malit të Zi të pajtuar”, tha presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në fjalimin e tij të parë paszgjedhor, teksa shtoi se gjatë mandatit të tij Mali i Zi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Rëndësia e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në skenën politike malazeze shkon përtej asaj të zgjedhjeve të rregullta dhe ato kanë një rëndësi të madhe në skenën politike ndërkombëtare, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale me gjasë do të ndikojnë në proceset e mëtejshme politike në vend, veçanërisht në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 11 qershor. Analistët politikë vlerësojnë se fitorja e Milatoviç-it do të jetë një goditje për DPS-në, por edhe për vetë Malin e Zi.

Gjatë fushatës, ish-presidenti Gjukanoviç deklaroi se do të fitojë zgjedhjet presidenciale, dhe më pas edhe zgjedhjet parlamentare, dhe se qeveria e ardhshme do të ketë tre synime – ruajtjen e shoqërisë malazeze, zhvillimin ekonomik dhe pranimin e Malit të Zi në BE deri në vitin 2028.

Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.

Mali i Zi është zhvilluar si një shoqëri në një tranzicion të gjatë si një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në vitin 2020. Është i vetmi nga pesë vendet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur të gjitha disa kapituj negociues në negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Kush është Jakov Milatoviç?

Jakov Millatoviç u lind në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në dhjetor të vitit 1986. Ishte po ai vit që Gjukanoviç iu bashkua presidencës së Lidhjes Socialiste të Rinisë së Jugosllavisë, që më pas i shërbeu si trampolinë për postin e presidentit dhe kryeministrit në periudhën postkomuniste dhe pas pavarësisë së Malit të Zi.

Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, ai kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA, dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Ai mori diplomën në nivelin master në ekonomi në Oksford.

Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.

Më pas, në zgjedhjet e vitit 2020 ai fitoi një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi, ku fitoi shumica pro-serbe dhe pro-serbe ortodokse dhe grupime të tjera, zgjedhje këto që çuan DPS-në e Gjukanoviç-it në opozitë, për herë të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve shumëpartiake në vitin 1990.

Gjatë mandatit të asaj qeverie, ata publikuan planin ekonomik “Evropa Tani”, sipas të cilit partia e tij mori emrin dhe që është një nga shkaqet e popullaritetit dhe lëvizjes së Milatoviç-it, e me këtë edhe suksesit të tij.

Me atë plan, paga minimale u rrit nga 222 në 450 euro, ndërsa ajo mesatare nga 530 në 630, ndonëse disa ekonomistë e kritikuan atë, duke paralajmëruar huamarrje të tepërt dhe rrezik falimentimi.

37-vjeçari mori mbështetje nga partitë e afërta me Serbinë, Rusinë dhe Kishën Ortodokse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore