Lajme

Përforcimet e NATO-s nisin të arrijnë në Kosovë


NATO-ja.

Përforcimet e NATO-s kanë filluar të arrijnë në Kosovë të hënën e 5 qershorit, pas tensionimit të situatës në komunat veriore të Kosovës ku po protestohet nga serbët lokalë pasi Policia e Kosovës, kishte ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok të hyjnë në objektet komunale, me 26 maj.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikatë të publikuar nga NATO-ja në faqen zyrtare të tyre.

“Përforcimet e NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë të hënën, pas dhunës së paprovokuar dhe të papranueshme që la 30 trupa paqeruajtëse të KFOR-it të plagosur në përleshjet javën e kaluar”.

“Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga brigada e 65-të e mekanizuar e këmbësorisë së Turqisë do të përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”.

Tutje nga NATO-ja është sqaruar se kanë vendosur edhe një batalion shtesë varësisht nga situata.

“Batalioni turk fillimisht do të vendoset në kampin Sultan Murat dhe do të vendoset në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s është vënë gjithashtu në gatishmëri më të lartë për t’u vendosur nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës ku 41 ushtarë të KFOR-it u lënduan të hënën në Zveçan, NATO-ja ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Tensionet në Veri – NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

Gjatë një takimi me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu mirënjohjen e tij ndaj Turqisë për mbështetjen e dhënë me vendimin për dërgimin e përforcimeve në Kosovë.

“Unë do të doja të falënderoja Turqinë për përforcimet që kanë vendosur të dërgojnë në Kosovë, pas trazirave të fundit në rajon”, deklaroi Jens Stoltenberg për gazetarët pas takimit me dyer të mbyllura me presidentin Erdogan në Pallatin Dolmabahçe.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, nëpërmjet një tweet-i, njoftoi më herët se një batalion i këmbësorisë turke është nisur në Kosovë për të mbështetur misionin paqeruajtës të NATO-s (KFOR), pas tensioneve në pjesën veriore të vendit.

“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, batalioni komando i Komandës sonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Lüleburgaz) i caktuar në rajon filloi të dislokimin në Kosovë”, thuhet në postimin e Ministrisë turke të Mbrojtjes.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi ditë më parë se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Turqia nis një batalion të këmbësorisë në Kosovë për të përforcuar KFOR-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore