Shëndet

Agjërimi, mjaftojnë tri ditë për rigjenerimin e qelizave dhe trupit


Miliona besimtarë zgjedhin të agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit. Në një studim, të realizuar në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, thuhet se kufizimi i ushqimit në vetëm tri ditë mund të rigjenerojë të gjithë sistemin imunitar.

Prej kohësh, ekspertët kanë kritikuar regjimet drastike që promovojnë kufizimin e ushqimit, duke e përshkruar atë si jo të shëndetshëm.

Por ky studim i ri thotë se, nëse trupi nuk furnizohet me ushqim, atëherë qelizat staminale nisin të prodhojnë rruaza të reja të bardha të gjakut. Këto rruaza janë luftëtaret më të mira të infeksioneve.

Dobësimi i imunitetit me kalimin e moshës

Gjatë rritjes, sistemi imunitar i njeriut dobësohet, kështu bëhet më i vështirë luftimi i sëmundjeve. Sipas informacioneve, kufizimi i ushqimit për 72 orë mund ta rikthejë imunitetin në shina.

Ka kufizime drastike, sipas të cilave mund të pish vetëm lëngje të lehta për tri ditë, por edhe kufizime më të lehta, siç është përgjysmimi i ushqimit për këto triditë.

Zgjedhja bëhet në varësi të gjendjes shëndetësore dhe këshillave të mjekut. Kufizimi i ushqimit ndez motorët e rigjenerimit dhe çel rrugën e formimit të rruazave të reja të bardha të gjakut.

Gjatë këtyre 72 orëve, trupi, sipas ekspertëve, eliminon vetë pjesët e dëmtuara, vjetruara dhe jo efikase të sistemit imunitar.

Sistemi imunitar është tërësisht i ri, ndërkohë që enzimat që rrisin rrezikun e plakjes ulen në numër. Kufizimi i ushqimit detyron trupin të përdorë depozitat e glukozës dhe yndyrave dhe përbën një fillim të ri për organizmin.

Studimi në fjalë është bazuar në eksperimente të shumta, megjithatë ai duhet shoqëruar me studime të mëtejshme klinike. Kufizimi i ushqimit nuk duhet bërë me hamendje, apo pa rekomandimin e një mjeku specialist.

Sipas ekspertëve, imitimi i stilit të agjërimit është një qasje më e sigurt dhe më e lehtë për t’u duruar dhe kapërcyer nga të gjithë ata që janë në dietë. Një mënyrë e mirë është që të konsumoni arra në momentet kur ndiheni të uritur.

Por, mos e teproni, nuk duhet të konsumoni më shumë se gjashtë arra në ditë. Shkencëtarët do të kryejnë një studim me pjesëmarrje më të gjerë, duke u motivuar nga gjetja se njerëzit, që vuajnë nga rreziku i sëmundjeve që kanë lidhje ose shkaktohen nga obeziteti, përfitonin më shumë nga kjo lloj diete specifike.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore