Shqipëria

Për herë të parë në një post ekzekutiv, Taulant Balla do të jetë ministri i ri i Brendshëm


Pas 18 vitesh i mandatuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla do të propozohet të hënën nga kryeministri i Shqipërisë si ministri i ri i Brendshëm, duke pasuar Bledi Çuçin.

Kjo do të jetë përvoja e parë ekzekutive për Ballën në CV-në e tij, ku do të përpiqet të përmirësojë shërbimin në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend.

Kandidatura e tij si ministër i Brendshëm u përfol në dhjetor të vitit 2020 pas dorëzimit të dorëheqjes së Sandër Lleshit si drejtues i këtij institucioni.

I lindur më 12 gusht të vitit 1977, Balla ka qenë anëtar i Kabinetit të kryeministrit Fatos Nano.

Prej vitit 2005 është deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i rrethit Librazhd dhe në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Taulant Balla ishte deputeti më i votuar.

Taulant Balla është zëvendës kryetar i Komisionit për Integrimin Evropian të Kuvendit të Shqipërisë dhe prej vitit 2017 është Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ndërtimi i situatës

Për të shkuar deri te rokada e pazyrtarizuar në Ministrinë e Brendshme, kryeministri shqiptar Edi Rama shkarkoi për herë të parë një drejtues të këtij institucioni.

Jehona e ngjarjes së rëndë që ndodhi tre ditë më parë në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, ku një grup personash dhunuan barbarisht shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja rezultoi fatale për Bledi Çuçin.

Dy të dhunuarit ishin ankuar se shtëpitë e tyre po dëmtoheshin nga një gurore (Delia Group) aty pranë në pronësi të fisit Rraja, konkretisht Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Gjithashtu, edhe banorët e fshatit Borizanë ishin ankuar për dëmtimet nga gurorja në pronësi të fisit Rraja.

Ata u mblodhën gjithashtu ditën e djeshme në një protestë për prishjen e banesave të tyre nga shpërthimet në kantier.

Banorët thonë se shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe ata janë të pafuqishëm ekonomikisht për t’i rregulluar.

Ata kërkojnë nga autoritetet që të japin lejet për guroret konform ligjit, duke respektuar distancat nga qendrat e banuara.

Autoritetet vendosën të bllokojnë të dielën aktivitetin e gurores “Delia Group”, me administrator shtetasin V. D.

Në këtë inspektim kanë marrë pjesë Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.

“Pas këqyrjes së sipërfaqes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN-së dhe AKSEM-it. Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje”, njoftoi Policia.

Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.

Rrahman Rraja paraqiti gjithashtu dorëheqjen nga mandati i deputetit ditën e djeshme, pasi në dhunën e shkaktuar ishin të përfshirë djali dhe dy vëllezërit e tij – të cilët nga Policia e Shtetit janë quajtur dhe organizatorë të ngjarjes.

Ai u ka kërkuar ndjesë atyre që i kanë dhënë voton prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej dy mandatesh si deputet.

Policia e Shtetit sakaq ka rinovuar tërë trupën e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë.

Po ashtu Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, është tashmë drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.

Historiku

Drejtuesi më jetëgjatë i Ministrisë së Brendshme pas vitit 1990 mbetet Saimir Tahiri me 3 vite e 184 ditë, i dyti renditet Agron Musaraj me 3 vite e 97 ditë në krye të detyrës.

Më 19 mars të vitit 2017, Tahiri do t’i paraqiste dorëheqjen e tij kryeministrit Edi Rama.

Partia Demokratike kishte kërkuar asokohe disa herë largimin e Tahirit nga ky post, pasi e akuzonte si të lidhur ngushtë me bandat kriminale e me trafikantët e drogës, mes të cilëve Emiljano Shullazin, Klemend Balilin e vëllezërit Habilaj.

Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Catania-s (Itali) që në përgjimet e saj të bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, ishte përmendur edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.

Më 4 shkurt të vitit 2022, Saimir Tahiri u dënua me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, duke sjellë edhe ndalimin e tij dhe dërgimin në burg.

Ministri i radhës i Brendshëm që do të paraqiste dorëheqjen e tij pa specifikuar arsyet ishte Fatmir Xhafaj, më 27 tetor të vitit 2018.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruante Rama në Twitter.

Fatmir Xhafaj që prej 13 shtatorit 2017, mbante postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Pasardhësi i tij, Sandër Lleshi do të dorëhiqej më 10 dhjetor të vitit 2020 pas protestave që shkaktoi vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.

Kryeministri Rama e bënte të ditur lajmin në komunikimin e tij të parë për këtë ngjarje, duke lënë të kuptohet se e ka pranuar, por duke nënvizuar se ministri Lleshi nuk kishte asnjë përgjegjësi për aktin e policit të “Shqiponjave”.

Prej të hënës, ish-ministri Bledi Çuçi do të jetë zyrtari i parë i këtij institucioni që do të shkarkohet nga kreu i Qeverisë në mandatin e tij 10-vjeçar si kryeministër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore